Lidhje

Kazakistan, vazhdojnë hetimet mbi rrëzimin e avionit


Zyrtarët në Kazakistan thonë se po shqyrtojnë disa shkaqe që mund të kenë çuar në rrëzimin e një avioni të premten. Ata thonë se probleme teknike, gabime nga ana e pilotit si dhe kushtet atmosferike mund të kenë qenë shkaqet që çuan në rrëzimin e avionit duke shkaktuar vdekjen e 12 personave dhe plagosjen e më shumë se 50 të tjerëve.

Avioni i pasagjerëve i tipit “Fokker 100” u rrëzua mëngjesin e së premtes, pak minuta pas nisjes nga aeroporti Almaty në Kazakistan. Zyrtarët thonë se avioni me 98 njerëz në bord duket se kishte pasur vështirësi të ngrihej ndërsa bishti i avionit kishte prekur dy herë pistën në një përpjekje për t'u ngritur.

Ministria e Brendshme e Kazakistanit tha sot (të shtunën) se hetimet lidhur me incidentin vazhdojnë. Policia po analizon të dhënat e dokumentuara, rregjistrimet zanore dhe video që lidhen me aksidentin. Zyrtarët thanë se do të merren në pyetje punonjës e pasagjerë si dhe do të bëhet inspektimi i avionit të rrëzuar.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG