Lidhje

Demokratët dhe mbështetja e vakët në radhët e komunitetit afrikano-amerikan


Kandidatët demokratë për president po luftojnë për të marrë mbështetjen e një grupi të rëndësishëm votuesish, komunitetit afrikano-amerikan. Ndërsa sondazhet tregojnë mbështetje të fuqishme për ish-nënpresidentin Joe Biden nga radhët e këtij komuniteti në përgjithësi, disa të rinj thonë se nuk janë të entuziazmuar nga ajo që ofron kampi demokrat dhe se janë ende të pavendosur se kë do të mbështesin. Chris Simkins i Zërit të Amerikës raporton nga një universitet i Karolinës së Jugut, shteti i katërt ku do të zhvillohet gara për të përcaktuar kandidatin zyrtar të demokratëve që do të përballet me Donald Trump-in në zgjedhjet presidenciale të vitit 2020.

Këta të rinj afrikano-amerikanë synojnë të votojnë vitin e ardhshëm, por tani për tani nuk shfaqen shumë të emocionuar.

"Ndjehem sikur secili kandidat po përpiqet të mundë presidentin aktual (Donald Trump). Ata nuk po përpiqen të paraqesin ndonjë gjë që të tërheqë vëmendjen”, thotë Lamar Henry, student.

"Nuk jam aq entuziast sa isha për zgjedhjet e kaluara do të thoja për zgjedhjet e mbajtura në 2008-n dhe 2012-n kur Obama kandidonte për president”, thotë Monique Daniel, studente e universitetit të Karolinës së Jugut.

Ish-Nënpresidenti Joe Biden gëzon rreth 35 për qind të mbështetjes në radhët e demokratëve të Karolinës së Jugut, një avantazh prej 20 pikësh krahasuar konkurenten e tij më të fortë senatoren Elizabeth Warren. Analistët thonë se lidhja e zotit Biden me Barack Obama-n, presidentin e parë afrikano-amerikan është një pasuri në një shtet me një komunitet të madh afrikano-amerikan. Por këta studentë të universitetit shtetëror të Karolinës së Jugut thonë se nuk e kanë zgjedhur ende kandidatin e preferuar.

"Nuk jam entuziast ende për asnjë prej kandidatëve. Ka disa që më pëlqejnë ose që janë në avantazh, por nuk është se mezi pres që të votoj për ta. Dua që të marr vendimin më të mirë”, thotë studenti Royal Clemonts.

Presidenti Donald Trump po bën përpjekje për të siguruar mbështetjen e afrikano-amerikanëve. Në një nga mbledhjet më të fundit në Shtëpinë e Bardhë, të rinj me ngjyrë me pikëpamje konservatore thanë se zoti Trump meriton t’i njihet kontributi për nivelet rekord të papunësinë në radhët e komunitetit afrikanë-amerikan si dhe për garantimin për ta, të më shumë fondeve për kolegje e universitete.

Duhet të luftojmë për këtë njeri (Donald Trump-n). Një njeri që mbështet afrikano-amerikanët. Do të luftojmë që ai të vazhdojë detyrën e tij”, thotë Candace Owens, Turning Point USA.

Në kampin demokrat, kandidatët afrikano-amerikanë kanë hasur në vështirësi. Senatorja e Kalifornisë Kamala Harris u tërhoq nga gara ndërsa sondazhet tregojnë ulje të vazhdueshme të mbështetjes ndaj senatorit të Nju Xhersit Cory Booker.

Profesori i shkencave politike Willie Black thotë se demokratët e afrikano-amerikan kanë një qëllim kryesor.

"Të gjithë votuesit afrikano-amerikan thonë se çështja kryesore e tyre është të gjejnë dikë që mund ta mundë Donald Trump-in", thotë ai.

Por kjo mund të mos jetë e mjaftueshme për të frymëzuar votuesit e rinj shton zoti Black.

"Ata (kandidatët) nuk po paraqesin plane që tërheqin vërtet vëmendjen e votuesve, që këta të fundit të vijnë tek ata".

Ndërsa ndryshimi është kërkesa e përgjithshme e votuesve demokratë, të rinjtë kanë tendencë të tërhiqen nga kandidatët me ide të guximshme për kujdesin shëndetësor dhe mbi ekonominë.

"Kujdesi shëndetësor është natyrisht një çështje tejet e rëndësishme si dhe falja e kredive studentore sepse dua të studioj për mjekësi", thotë Kayla Hasty studente.

Biden e shikon Karolinën e Jugut si një pike të fortë, nëse pëson lëkundje në Ajoa dhe në New Hempshajër, shtete me një komunitet të vogël afrikano-amerikanësh. Tani për tani shumë të rinj afrikano-amerikanë mund të jenë të pavendosur, por ata e dinë se vota e tyre mund të jenë thelbësore për zgjedhjet në funksion të zyrtarizimit të kandidatit demokrat për president.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG