Lidhje

Situata politike në Kosovë


Kosovo/Thaci

Në Kosovë vazhdojnë paqartësitë rreth formimit të qeverisë së re edhe pse tashmë është krijuar parlamenti i ri. Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ftoi sot për të tretën herë kryetarin e lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti, për një takim të martën për caktimin e mandatit për formimin e qeverisë, por ky i fundit refuzoi sërish takimin ndërsa propozoi një takim ndërmjet dy udhëheqësve, më 6 janar.

Situata politike në Kosovë
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:13 0:00

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ftoi sërish kryetarin e lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti, për një takim të martën për caktimin e mandatit për formimin e qeverisë.

Ftesa ishte bërë për orën 10 të ditës së fundit të vitit dhe është ftesa e tretë që presidenti Hashim Thaçi i bëri kryetarit të lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i cili të premtën që lamë pas nuk mori pjesë në takimet e ftuara për shkak të siç ka thënë "agjendës ngjeshur”.

Edhe sot, zoti Kurti tha se nuk do të ketë mundësi që të takohet për ditën e nesërme ndërsa i propozoi presidentit Hashim Thaçi që të takohen më 6 janar.

Zoti Kurti një ditë më parë kritikoi ftesat e presidentit Hashim Thaçi duke nënvizuar se presidenti i vendit nuk e përcakton kohën e formimit të qeverisë, ngritja e së cilës tha ai, varet nga negociatat me Lidhjen Demokratike të Kosovës.

“Presidenti e ka përcaktuar datën e seancës konstituive, për 26 dhjetor kur ne ishim aty dhe në kohë rekord konstatuam Kuvendin, pra presidenti përcakton datën e konstituimit të kuvendit e jo të formimit të qeverisë, atë e përcakton tjetër kush. Mua datën për formimin e qeverisë ma përcakton LDK-ja e jo presidenti, pra këtu nuk duhet të ketë keqkuptime”, tha zoti Kurti.

Ndërkaq, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa tha se partia e tij nuk cakton data. Nëpërmjet një postimi në llogarinë e tij në Facebook, zoti Mustafa tha se “datat i cakton subjekti që del i pari në zgjedhe, ai që e merr mandatin për formimin e qeverisë”. Ai theksoi se “LDK insiston që sa më parë të ndodhë formimi i institucioneve dhe kjo nuk do të thotë se LDK domosdoshmërisht do të bëhet pjesë e qeverisë”.

Javën e kaluar zoti Mustafa tha se partia e tij eshtë e gatshme të votojë ngritjen e një qeverie nga lëvizja Vetëvendosje duke mos u bërë pjesë e qeverisjes.

Vendimi për mandatarin varet nga negociatat e partive fituese, vazhdimi i të cilave mbetet i paqartë, pas mbledhjes së parlamentit javën e kaluar i cili zgjodhi Glauk Konjufcën nga lëvizja Vetëvendosje në postin e kryetarit.

Që nga përfundimi i zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 6 tetorit kur kishin filluar edhe negociatat për bashkëqeverisje ndërmjet lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës që dolën të parat, është thënë se posti i kryetarit të parlamentit do t'i takojë Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Të dyja partitë kishin shkëmbyer oferta dhe kundër oferta për themelimin e institucioneve ku "mollë sherri" ishte shfaqur posti i presidentit të cilin Lidhja Demokratike e Kosovës kërkon t'i takojë asaj në vitin 2021.

Lëvizja Vetëvendosje shpreson që të rifilloj negociatat me Lidhjen Demokratike gjatë muajit janar, por zhvillimet e fundit kanë lënë shumë pikëpyetje rreth këtyre negociatave.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG