Lidhje

Sulmi në Nju Jork, thirrje për unitet kundër krimit të urrejtjes


I dyshuari për sulmin me thikë të së shtunës ndaj disa hebrenjve, të mbledhur në një shtëpi për festën e Hanukës, është akuzuar për krimin federal të urrejtjes. Prokurorët e amerikanë ngritën akuzat të hënën në Distriktin Jugor të Nju Jorkut ndaj 37-vjeçarit Grafton Thomas, personit të dyshuar për goditjen me thikë të pesë hebrenjve Hasidik në shtëpinë e një rabini në Monsi, afër qytetit të Nju Jorkut. Zyrtarët po rrisin masat e sigurisë në disa zona me shumicë hebraike, por gjithashtu po bëjnë thirrje për unitet kundër krimit të urrejtjes.

Zyrtarët e shtetit të Nju Jorkut thonë se sulmi i së shtunës ishte pjesë e një serie veprimesh antisemite në shtetin e Nju Jorkut në javët e fundit. Guvernatori Andrew Cuomo thotë se përveç sulmeve ndaj hebrenjve, ka patur edhe incidente të urrejtjes kundër komunitetit afrikano-amerikan, latin dhe atij LGBT.

"Le t’i quajmë ata ashtu siç janë. Këta njerëz janë terroristë vendas. Ne kemi rritur sigurinë në këtë shtet. Mendoj se është koha për të rritur forcën e zbatimit të ligjit", tha guvernatori i Nju Jorkut, Andrew Cuomo.

Nëna e Thomas-it, duke folur përmes një avokati, tha se djali i saj ka një histori të sëmundjeve mendore, por nuk ka histori të njohur të antisemitizmit.

"Përshtypja ime nga bisedat me të është se ai ka nevojë për një vlerësim serioz psikiatrik", tha Michael Sussman, avokat i të dyshuarit Grafton Thomas.

Por hetuesit gjetën shënime të shkruara me dorë të Thomas-it mbi Adolf Hitlerin dhe kulturën naziste dhe thanë se historia e kërkimeve të tij në internet përfshinte edhe kërkime të tilla si "tempuj gjermano-hebraik pranë meje" dhe "Kompanitë e shquara të themeluara nga hebrenjtë në Amerikë".

Zyrtarët në qytetin e Nju Jorkut thonë se po rrisin masat e sigurisë në komunitetet me shumicë hebraike, shkolla dhe rrethe biznesi. Specialistët e sigurisë thonë se të gjithë duhet të bashkohen në këtë përpjekje.

"Ju duhet t’i kundërviheni kësaj urrejtje. Unë nuk po them se dikush duhet të rrezikojë veten, por ju nuk mund të tërhiqeni. Ju nuk mund të copëtoheni. Ju duhet të veproni. Ju duhet të përballeni me këtë të keqe. Nuk ka masa të mjaftueshme të zbatimit të ligjit", tha Patrick Brosnan, Drejtor Ekzekutiv i firmës konsulente, Brosnan Risk Consultants.

Kryetari i Bashkisë së Nju Jorkut, Bill de Blasio u takua me drejtuesit e besimeve dhe aktivistët e komunitetit të dielën për të diskutuar strategjitë për të luftuar krimin e urrejtjes.

"Këto sulme të tmerrshme që kanë ndodhur jashtë kufijve tanë (të qytetit) nuk e fshehin për asnjë moment faktin se ka pasur probleme në lagje specifike në qytetin e Nju Jorkut", tha zoti de Blasio.

Aktivisti i të drejtave civile afrikano-amerikane, Al Sharpton u bëri thirrje amerikanëve të të gjitha besimeve dhe racave që të bashkohen kundër urrejtjes.

"Nëse do të kishte pasur sulme kundër anëtarëve të komunitetit afrikano-amerikan, ne do të ishim ngritur në këmbë dhe do të kishim ngritur zërin. Ne nuk mund të heshtim pasi po shohim një model sulmesh kundër njerëzve bazuar në besimin dhe identitetin e tyre", tha zoti Sharpoton.

Zyrtarët dhe udhëheqësit e komunitetit gjithashtu folën për nevojën për të forcuar arsimimin mbi Holokaustin, për t'u mësuar brezave të rinj se ku mund të të çojë krimi i urrejtjes.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG