Lidhje

Trump: Marrëveshja e re tregtare SHBA-Kinë nënshkruhet më 15 janar


Një marrëveshje e re e pjesshme tregtare SHBA-Kinë do të nënshkruhet në mesin e muajit të ardhshëm, tha të martën Presidenti amerikan Donald Trump, duke njoftuar se ai gjithashtu do të udhëtojë më pas në Kinë për bisedime shtesë.

"Unë do të nënshkruaj marrëveshjen tonë shumë të madhe dhe gjithëpërfshirëse të tregtisë, Faza e parë me Kinën më 15 janar," tha presidenti Trump në Twitter disa çaste nga hapja e Wall Street-it.

"Ceremonia do të zhvillohet në Shtëpinë e Bardhë. Përfaqësues të nivelit të lartë të Kinës do të jenë të pranishëm."

Fjala e marrëveshjes, dhe zbutja e konfliktit tregtar, kanë nxitur luatje në Wall Street këtë muaj.

Të dy palët në fillim të këtij muaji njoftuan një marrëveshje të "Fazës së Parë" në konfrontimin e tyre gati dy-vjeçar tregtar, me Uashingtonin që anuloi dhe pakësoi disa tarifa në këmbim të premtimeve kineze për të rritur blerjet e eksporteve amerikane dhe miratimin e reformave tregtare.

Teksti i marrëveshjes nuk është bërë ende publik në pritje të rishikimeve ligjore dhe përkthimeve, thonë zyrtarët amerikanë dhe detajet mbeten të pakta.

Zyrtarët amerikanë dhe kinezë thanë se marrëveshja përfshin mbrojtje për pronën intelektuale, mallra ushqimore dhe bujqësore, shërbime financiare, dhe një dispozitë për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG