Lidhje

Kosovë, Presidenti Thaçi dhe Albin Kurti pritet të takohen më 6 janar


Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi u pajtua të martën që të takohet me 6 janar me kryetarin e lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, për të diskutuar lidhur me caktimin e mandatit për formimin e qeverisë.

Kjo datë që ishte kërkesë e Albin Kurtit, pasoi refuzimin e këtij të fundit të tri ftesave që i bëri presidenti Thaçi për takim.

“Unë mirëpres faktin që pas ftesës së tretë zoti Kurti ka pranuar dhe është përgjigjur ftesës sime kështu që ditën që është menduar nga zoti Kurti në ora 15 do ta pres në zyrën time. Ne duhet të sillemi në mënyrë të përgjegjshme, institucionale, në të mirën e shteti dhe të qytetarëve prandaj nuk mund të sillemi me hatrime as me sjellje që nuk përkojnë me përgjegjësitë tona kushtetuese dhe ligjore, kështu që mirë se vjen në ditën që e ka propozuar, pra në ora 15. E pres”, tha presidenti Thaçi.

Ai tha se u mbetet partive politike që të lëvizin në krijimin e institucioneve në përputhshmëri me vullnetin e qytetarëve.

Kosovë, Presidenti Thaçi do të takohet me Albin Kurtin më 6 janar
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:39 0:00

“Kemi një realitet tjetër politik në Kosovë, çdo marrëveshje që arrihet në mes të spektrit politik unë e mirëpres, e përshëndes dhe do ta shtyj përpara. Natyrisht është në interes që të mos humbet kohë por nëse krahasohet edhe me vende tjera nëpër Evropë mund ta them se Kosova është në një stad shumë të zhvilluar të demokracisë për themelimin e institucioneve, kështu që çdo marrëveshje edhe për president që e bën spektri politik unë vetëm do ta duartrokas”, tha presidenti Thaçi.

Presidenti Thaçi tha se nuk është përgjegjësi e e tij të flas për mënyrën se si të krijohen koalicionet qeverisëse, por bëri thirrje që partitë politike të bashkohen për t’u përballur me sfidat rajonale dhe ndërkombëtare të Kosovës.

Ai foli edhe për çështjen e bashkëpunimit rajonal, posaçërisht për çështjen e Shengenit Ballkanik, një nismë kjo që është kundërshtuar nga autoritetet në Kosovë.

Presidenti Thaçi tha se si rrjedhojë e trajtimit të Kosovës që në takimin e parë në Novi Sad, ka refuzuar ftesat e kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev dhe kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama.

“E vlerësoj lart kontributin e kryeministrit të Shqipërisë, mikut tim të zgjedhur sepse unë kam bashkëpunuar shkëlqyeshëm me të gjithë liderët e Shqipërisë tash e 25 vite, por miqtë e ngushtë zgjidhen, Edi Rama është mik imi i zgjedhur. Vlerësoj për angazhimin e tij për paqen dhe stabilitetin në rajon por në të njëjtën kohë konfirmoj që Serbia duhet trajtuar me tjetër gjuhë, me tjetër strategji dhe tjetër veprim”, tha ai.

Ai tha se vendet e rajonit me pjesëmarrje në nismat rajonale po i japin alibi Serbisë për të mos njohur Kosovën.

“Nuk mund të diskutohen iniciativat rajonale për kufirin apo për kufijtë pa qenë Kosova aty. Serbia kufizohet me Kosovën në Merdarë dhe vijat tjera 400 kilometra dhe që ia kemi qitur kufirin dhe që nuk do të mund ta cenojë kurrë me gjithë aspiratën e tyre të jashtëzakonshme dhe këmbëngulësin e tyre”,tha ai.

Ai i bëri thirrje kryeministrit të Shqipërisë që të marr vendim për heqjen e kufirit ndërmjet dy vendeve.

“Do të ishte mrekulli sikur që viti 2020 të filloj me vendimin për heqjen e kufirit dhe doganës mes shtetit të Kosovës dhe Shqipërisë. për çka e ftoj mikun tim kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama që të merr këtë vendim. Unë jam gati”, tha presidenti Thaçi.

Presidenti Thaçi tha se shpreson që gjatë vitit 2020 do ta zhbllokohet procesi i bisedimeve Kosovë-Serbi dhe të arrihet një marrëveshje paqësore ndërmjet dy vendeve. Ai tha po ashtu se do të përgjigjet në çdo ftesë që do të mund t’i dërgohet nga Gjykata e posaçme për krime lufte që ka intervistuar rreth 200 pjesëtarë të ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG