Lidhje

Protesta në Iran dhe Irak kundër vrasjes së gjeneralit Soleimani


Vrasja nga Shtetet e Bashkuara e komandantit të forcave elite Quds të Iranit në një sulm ajror në aeroportin e Bagdatit ka shkaktuar protesta dhe reagime të ashpra në Iran dhe Irak. Ministri i jashtëm iranian Muhammad Javad Zarif e quajti vrasjen e gjeneralit Qassem Soleimani “një akt të terrorizmit shtetëror dhe shkelje të sovranitetit të Irakut”.

Vrasja e Gjeneral Qassem Soleimanit nxiti reagime të ashpra në Lindjen e Mesme. Presidenti iranian Hassan Rouhani kritikoi Shtetet e Bashkuara.

“Rënia e Soleimanti do ta bëjë Iranin më të vendosur në rezistencën ndaj ekspansionizmit amerikan dhe mbrojtjen e vlerave tona islamike”, tha presidenti iranian.

Duke folur gjatë një takimi urgjent të ministrisë së jashtme të premten, Ministri i Jashtëm iranian Mohammad Javad Zarif akuzoi Shtetet e Bashkuara për eliminimin e gjeneralit Soleimani sepse ai po ndihmonte Sirinë dhe Irakun.

“Gjaku i pastër dhe i shenjtë i Qassem Soleimanit do ta forcojë më shumë rezistencën tonë dhe do ta bashkojë më shumë popullin iranian. Ai gjithashtu do ta bëjë politikën amerikane më skandaloze dhe më pak efektive se më parë”.

Mijëra besimtarë iranianë dolën nëpër rrugët e Teheranit pas lutjeve të së Premtes, për të dënuar vrasjen e gjeneralit Soleimani nga Shtetet e Bashkuara.

“Ata që imagjinojnë se përmes vrasjeve si ajo e gjeneralit Soleimani, pema e rezitencës do të vyshket, janë plotësisht të gabuar dhe duhet ta kenë të qartë se rezistenca do të forcohet çdo ditë. Armiqtë e islamit, myslimanëve do të shkatërrohen”, tha protestuesi Mehdi Nassiri.

Edhe në Irak u zhvilluan protesta anti- qeveritare, ku protestuesit shprehën pikëpamje të ndryshme në lidhje me tensionet SHBA-Iran të pasuar nga vrasja e gjeneralit Soleimani.

“Vrasja e Qassem Soleimanit dhe Abi Mahdi al-Muhandis-it do të eliminojë partitë e korruptuara, të cilat po e shkatërrojnë Irakun”, tha protestuesi irakian Ahmed Jabar.

“Amerika dhe Irani duhet t’i zgjidhin problemet e tyre jashtë Irakut. Ne nuk duam që ata të zgjidhin problemet e tyre brenda Irakut sepse kjo nuk do t’i shërbente interesave tona. Ne, në sheshin Tahrir, nuk festojmë vrasjen e Soleimanit ose dikujt tjetër sepse në fund të ditës kjo nuk do t’i shërbente interesave tona”, tha një protestues tjetër irakian.

Protesta të ngjashme, në të cilat u dënua vrasja e gjeneralit Soleimani, u mbajtën edhe në Pakistan, Rripin e Gazës dhe në zona të tjera të rajonit të Lindjes së Mesme.

Udhëheqësi suprem i Iranit Ayatollah Ali Khamenei emëroi sot zëvendës komandantin e gardës revolucionare, Esmail Qaanin, në postin e komandantit të forcave elite Quds.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG