Lidhje

Vrasja e komandantit të forcave iraniane Quds, Qassem Soleiman, ngjalli shumë reagime


Vrasja e komandantit të forcave iraniane Quds, Qassem Soleiman, në një operacion të Ushtrisë amerikane, ngjalli shumë reagime. Gjermania tha se sulmi, pasoi provokimet e vazhdueshme të Iranit. Rusia paralajmëroi tensionim të situatës në rajon, ndërsa Franca kërkon veprime të matura duke shtuar se kjo vrasje e bëri botën një vend më të rrezikshëm për të jetuar.

Gjermania e cilësoi vrasjen si përgjigje ndaj provokimeve të vazhdueshme të republikës islamike.

“Veprimi amerikan ishte reagim ndaj një serie provokimesh ushtarake për të cilat Irani është përgjegjës. Të tilla ishin sulmet ndaj anijeve cisternë në ngushticën e Hormuzit dhe në rafineritë e naftës në Arabinë Saudite. Kemi dënuar sulmet ndaj trupave të koalicionit në Irak sikur edhe sulmet e fundit në ambasadën amerikane”, tha Ulrike Demmer, zëdhënëse e qeverisë gjermane.

Zëdhënësja Demmer, bëri thirrje për maturi në veprimet e mëtejshme, në mënyrë që të ulen ntensionet në rajon.

“Edhe ne e shohim me shqetësim të madh aktivitetin e Iranit në rajon. Ndodhemi përballë mundësisë së një përshkallëzimi të rrezikshëm. Tani është me rëndësi që situata të trajtohet me kujdes. Konfliktet rajonale mund të zgjidhen vetëm me diplomaci, prandaj ne jemi në kontakt me aleatët tanë”, tha zëdhënësja Demmer.

Rusia e dënoi vrasjen duke e quajtur atë “një hap të papërgjegjshëm”, që rrezikon “paqen dhe stabilitetin në rajon”. Ministria e Jashtme ruse, u shpreh përmes një deklarate se kjo vrasje do të rrisë tensionet në rajon.

“Ky hap nga Uashingtoni mund të ketë pasoja të rënda për paqen dhe stabilitetin në rajon. Në pikëpamjen tonë, veprime si këto nuk ndihmojnë në arritjen e një zgjidhjeje për një problem të ndërlikuar që është akumuluar në Lindje të Mesme. Përkundrazi veprime si këto çojnë në rritje të tensioneve në rajon”, është shkruar sot në faqen zyrtare të Ministrisë së Jashtme ruse.

Franca kërkoi vetëpërmbajtje.

“Po, zgjohemi në një botë më të rrezikshme. Përshkallëzimi ushtarak gjithmonë është i rrezikshëm. Është i rrezikshëm në çdo vend, në çdo territor, prandaj Franca angazhohet vazhdimisht për kushte stabiliteti dhe kështu do të vazhdojmë”, tha Amelie de Montchalin nga Ministria e Jashtme franceze.

Duke reaguar për komentet e qeverisë francize, Sekretari i Shtetit, Mike Pompeo, tha se “Franca e ka gabim”, vrasja e tij e “bën botën më të sigurtë”.

Sekretarja në Ministrinë e Jashtme franceze, tensionet i quajti si luftë për pushtet midis ShBA-së dhe Iranit.

Një analist nga Izraeli e përshkruan komandantin e forcave iraniane Quds, si figurën e dytë më të rëndësishme në Iran i cili sipas tij ishte arkitekti i aktivitetit iranian në botën arabe dhe Lindje të Mesme.

“Vrasje e tij do të rrisë tensionet në rajon, sepse ky nuk është një komandant i thjeshtë ushtrie. Ky është njeriu që mund të llogaritet si numri dy në Iran pas udhëheqësit suprem, Ayatollahut Ali Khamenei. Tensionet egzistojnë dhe kjo përfqësopn kulmin e tensioneve amerikjano-iraniane”, tha Uzi Rabi, profesor në Universitetin e Tel Avivit.

Në Iran, profesori i Universitetit të Teheranit, Mohammad Marandi, i quajti Shtetet e Bashkuara një regjim mashtrues dhe kritikoi vendet dhe shtypin perëndimor që arsyeton operacione të tilla ushtarake, ndërsa shtoi se është kërkesë e popullit iranian që Amerika të ndëshkohet për sulmin.

“Është e qartë se çdo gjeneral mund të vritet kur një regjim mashtrues organizon një sulm të tillë. Ai ishte në aeroportin ndërkombëtar të Irakut. Sapo ishte pritur nga zyrtarët irakianë, por regjimi amerikan, i cili nuk njeh ligj, nuk njeh sovranitet, vendosi të vrasë atë. Prandaj veprimet e Iranit nuk janë befasuese. E habitshme është se si qeveritë dhe shtypi në perëndim arsyetojnë mizoritë që shkaktohen nga regjimi në Uashington. Është e qartë se do të ketë shumë pasoja. Ajo që mund të them është se kjo ka bashkuar popullin iranian, të cilët kërkojnë ndëshkimin e Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të saj”, tha ai.

Reagime erdhën nga pothuajse të gjitha fuqitë botërore.

Në mesin e tyre edhe Kina u shpreh shumë e shqetësuar pas vrasjes.

“Paqja në Lindje të Mesme dhe rajonin e gjirit persik duhet të ruhet” tha zëdhënësi i ministries së jashtme kineze Geng Shuang, duke shtuar se Kina kërkon nga të dyja palët, në veçanti Shtetet e Bashkuara, të ruajnë qetësinë dhe të tregohen të përmbajtura në mënyrë që të shmanget rritja e tensioneve.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG