Lidhje

Iran, dhjetra shtypen nga turma në funeralin e gjeneralit


Në Iran, të paktën 56 njerëz humbën jetën të shtypur nga turma ndërkohë që dhjetëra mijëra vetë mbushën rrugët për të përcjellë komandantin e vrarë ushtarak Kasem Soleimani, duke bërë që varrimi i tij shtyhej disa orë, thanë mediat shtetërore.

Varrimi u bë në orët e para të mbrëmjes në qytetin juglindor Kerman, katër ditë pas vrasjes së tij në një sulm me dronë amerikanë në Irak.

Vrasja e Soleimanit e ka zhytur rajonin në një krizë të re dhe ka ngjallur shqetësime për një luftë më të gjerë në Lindjen e Mesme.

Soleimani, i cili komandonte forcën elitë Kuds të Iranit, ishte përgjegjës për ndërtimin e një rrjeti grupesh ushtarake që i bindeshin Teheranit në të gjithë Lindjen e Mesme.

Ai ishte figurë kryesore në orkestrimin e fushatës së Iranit për të përzënë forcat amerikane nga Iraku.

Një zyrtar i lartë iranian tha se Teherani po studion disa skenarë për t’u hakmarrë për vdekjen e tij. Figura të tjera të larta kanë thënë se Republika Islamike do të përgjigjet në mënyrë proporcionale, duke zgjedhur vendin dhe kohën e duhur.

Zyrtarët e SHBA kanë thënë se Soleimani u vra për shkak se dokumentet e zbulimit konfirmonin se forcat nën komandën e tij po planifikonin sulme të mëtejshme mbi objektivat amerikane në rajon, megjithëse nuk dhanë prova.

Sekretari amerikan i Mbrojtjes Mark Esper tha për rrjetin CNN të martën: "Ne nuk po kërkojmë të fillojnë një luftë me Iranin; përkundrazi, jemi të gatshëm për t’i dhënë fund një lufte. Ajo që do të donim të shihnim është çtensionimi i situatës”.

Soleimani shihej si një hero kombëtar për shumë iranianë, përkrahës ose jo të udhëheqjes klerike, por konsiderohej ndërkohë si një bandit i rrezikshëm nga qeveritë perëndimore që e kundërshtojnë ndikimin e Iranit, i cili shtrihet në disa zona të Lindjes së Mesme.

Kundërshtarët e Iranit thonë se përfaqësuesit e tij kanë nxitur konflikte, duke vrarë dhe shpërngulur njerëz në Irak, Siri dhe më gjerë. Teherani thotë se çdo operacion i tij jashtë vendit bëhet me kërkesë të qeverive përkatëse dhe se ai thjesht ofron "mbështetje në formë këshillash".

KËRCËNIME RECIPROKE

Pas sulmit ajror amerikan, Irani ka njoftuar se po tërhiqet edhe më tej nga zbatimi i marrëveshjes së vitit 2015 që kufizon programin e tij bërthamor. Presidenti amerikan Donald Trump, i cili u tërhoq nga marrëveshja dhe vuri sanksione ndaj Iranit, reagoi përmes një postimi në Twitter të hënën, “IRANI NUK DO TË KETË KURRË ARMË BËRTHAMORE !”

Presidenti amerikan u zotua të dielën se Shtetet e Bashkuara do të godasin “shumë rëndë dhe shumë shpejt” në 52 objektiva iraniane nëse ai vend kryen sulme ndaj personelit apo interesave amerikane. Numri 52 përfaqëson numrin e amerikanëve që Teherani mori peng për 444 ditë në vitin 1979.

“Ata lejohen të vrasin njerëzit tanë”, u tha Presidenti gazetarëve në bordin e avionit presidencial Air Force One. “Ata lejohen të torturojnë dhe gjymtojnë njerëzit tanë. Ata lejohet të përdorin bomba në rrugë dhe të vrasin njerëzit tanë dhe ne nuk na lejohet të prekim vendet e tyre kulturore? Kjo nuk funksionon siç duan ata.”

Presidenti iranian Hassan Rouhani hodhi poshtë kërcënimin e presidentit amerikan të hënën duke postuar në rrjetin Twitter: “Ata që i referohen numrit 52 duhet gjithashtu të kujtojnë numrin 290. #IR655. Kurrë mos e kërcënoni kombin iranian”.

Udhëheqësi iranian i referohej vitit 1988 kur Shtetet e Bashkuara gabimisht qëlluan dhe rrëzuan një avion iranian pasagjerësh në Gjirin Persik duke vrarë të 290 njerëzit në bord. Presidenti Ronald Reagan pati shprehur keqardhje të thellë rreth incidentit ndërsa Shtetet e Bashkuara paguan rreth 62 milion dollarë dëmshpërblim për familjet e viktimave.

Ndërsa vazhdojnë kërcënimet mes Teheranit dhe Uashintonit, shefi i Natos Jens Stoltenberg i kërkoi Iranit që të shmangë “dhunën dhe provokimet e mëtejshme”.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG