Lidhje

SHBA: Irani synoi të vriste forca amerikane


Zyrtarët amerikanë thanë se ata besojnë se Irani kishte për qëllim të vriste trupa amerikane gjatë sulmit me raketa balistike ndaj dy bazave në Irak që strehojnë forca amerikane. Njoftimet vijnë ndërsa një ditë më parë Presidenti Donald Trump tha se Irani "duket se është tërhequr" nga një konflikt i ri me SHBA-në.

"Besojmë se raketat balistike që u qëlluan ndaj bazave amerikane, kishin për qëllim të vrisnin amerikanë", tha Nënpresidenti Mike Pence të enjten gjatë një interviste për rrjetin televiziv NBC. "Ne kemi informacione zbulimi që tregojnë se ky ishte qëllimi i iranianëve", shtoi ai.

Pohimi i zotit Pence i bën jehonë komente të bëra të mërkurën nga udhëheqësi i lartë ushtarak, Shefi i Shtatmadhorisë amerikane gjenerali Mark Milley. Ai u tha gazetarëve në Pentagon se: "vendi i goditjes ishte shumë pranë personelit dhe pajisjeve dhe bazuar nga ajo që pashë e që di, ata kishin për qëllim të shkaktonin dëme strukturore, të shkatërronte automjete, pajisje, avionë dhe të vriste personelin", shtoi ai.

Si pasojë e sulmit me 16 raketa balistike me rreze të shkurtër veprimi të lëshuara nga tre baza brenda Iranit nuk u plagos asnjë forcë amerikane. Por gjenerali Milley tha se fakti që nuk pati viktimave, ka të bëjë më shumë me teknikat mbrojtëse të forcave amerikane, sesa me qëllimin e sulmit, siç u shpreh ai.

Sekretari i Mbrojtjes Mark Esper tha se dëmtimet në bazën e al-Asad-it nuk ishin të mëdha, duke shtuar se nuk pati viktima, qofshin ato amerikane, forca të koalicionit, apo punonjës civilë.

Të enjten Irani i hodhi poshtë njoftimet që vijnë nga SHBA-ja lidhur qëllimin e sulmit të tij me raketa.

Mediat shtetërore citonin gjeneral brigade Amir Ali Hajizadeh, kreun e Forcës Ajrore të Gardës Revolucionare të ketë thënë se: “ne nuk kishim për qëllim të vrisnim. Ne synuam të godisnim makinerinë ushtarake të armikut. Ai përsëriti pretendimin e qeverisë iraniane se " dhjetëra njerëz ishin vranë apo plagosur", si pasojë e sulmit.

Në një fjalim televiziv të mërkurën nga Shtëpia e Bardhë zoti Trump sinjalizoi se SHBA-ja nuk do të ndërmarrë veprime ushtarake në përgjigje të sulmeve, por do të vendosë sanksione të ashpra shtesë ekonomike kundër Iranit.

Teherano i lëshoi raketat në drejtim të Irakut të mërkurën herët në mëngjes me orën lokale, në shenjë hakmarrjeje për sulmin me dron të urdhëruar nga Presidenti Trump, sulm që vrau komandantin e forcave elitë iraniane "Quds" Qassem Soleimani. Udhëheqësi amerikan ka thënë se Soleimani "ishte përgjegjës për disa nga mizoritë më të mëdha" në Lindjen e Mesme.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG