Lidhje

Nju Jork, kufizime të reja në vitin 2020


Fillimi i Vitit të Ri është një moment premtimesh dhe angazhimesh dhe shteti i Nju Jorkut ka vendosur ta mirëpresë atë me një sërë ndalimesh. Guvernatori Andrew M. Cuomo nënshkroi pothuajse 700 iniciativa që përfshijnë që nga ndihmat për imigrantët e deri tek mbrojtja e kafshëve shtëpiake. Por si i kanë pritur njujorkezët këto iniciativa?

Është fillimi i Vitit të Ri dhe kjo do të thotë një numër ligjesh të reja për shtetin e Nju Jorkut.

Së pari, qeset plastike në dyqanet e ushqimeve do të ndalohen, duke filluar nga Marsi 2020 dhe do të zëvendësohen nga çanta prej letre për 5 cent dhe të ripërdorshme prej pëlhure.

“Është ide e mirë, ndihmon mjedisin! Shumë shtete po bëjnë të njëjtën gjë, kështu që pse të mos e bëjmë edhe ne?”, thotë një banore e Nju Jorkut.

“Tani për tani është më e lehtë, por ndalimi i çantave plastike, është gjë e mirë”, thotë një tjetër.

“Është fantastike! Që tani nuk do t’i përdor më!”, thotë një njojorkeze tjetër.

Kujdesi për mjedisin, ishte arsyeja për këtë vendim dhe disa të tjera, përfshirë një pagesë për t’i dhënë makinës në disa nga zonat më të ngarkuara të Manhatanit. Kjo do të pakësojë çlirimin e gazeve dhe do të lehtësojë trafikun e mbingarkuar në qendër të Nju Jorkut. Ky ligj hyn në fuqi në vitin 2021.

“Jo! Do të zhvendosem në Nju Xhersi!”, thotë një grua.

“Është shumë e vështirë. Nuk dua të paguaj për një gjë të tillë”, thotë një njujorkez.

“Pagesat vazhdojnë të rriten por ndihmojnë komunitetin, banorët”, thotë një banor tjetër.

Por shoferët nuk janë të vetmit që do të preken nga ndryshimet. Të apasionuarve pas kuzhinës do t’u duhet t’i thonë jo foie gras (fë gra), mëlçisë së dhjamosur të patës pasi Këshilli Bashkiak arriti në përfundimin se është mizore të ushqehen me forcë shpendët, për hir të shijes. Megjithë kundërshtimet që nga fermerët e deri tek restorantet, duke filluar nga viti 2022, njujorkezëve do t’u duhet të zgjedhin antipasta të tjera për darkat e tyre luksoze.

Edhe ndalimi i peliçeve me lëkurë të vërtetë kafshësh, u prit me reagime të forta pro dhe kundër.

Megjithatë shumë njujorkezë ishin të kënaqur me këtë ndalim, duke veshur peliçe artficiale shumë më të lira dhe dyqanet e mëdha e mirëpritën faktin që kërkesa për material sintetik do të rritej. Ndërsa pronarët e dyqaneve me produkte origjinale, po përpiqeshin të provonin se kishin kujdes për mjedisin.

"Këto produkte janë të miratuara në shkallë ndërkombëtare. Ne kemi nënshkruar konventa ndërkombëtare. Njerëzit i mbajnë gëzofët për një periudhë 10-15 vjeçare”, tha Mark Oaten,

Shef ekzekutiv i Federatës Ndërkombëtare të Produkteve prej Gëzofi.

"Mendoj që është mizore të përdoren dhe nuk duhet të lejohen në një qytet progresist si Nju Jorku”, thotë Michael Dolling,

Aktivist për ndalimin e produkteve prej gëzofi.

Banorët e lagjes së Harlemit e kundërshtuan masën e re për arsye të tjera. Në një letër për Këshillin Bashkiak, ata theksonin rëndësinë që produktet prej gëzofi kanë në kulturën afrikano-amerikane.

Industria e gëzofit, është një pjesë e konsiderueshme e ekonomisë së shtetit, pasi rreth 80% e të gjitha peliçeve në Amerikë, prodhohen në Nju Jork. Mbi 10 mijë vetë punojnë në këtë industri, përfshirë biznese familjare. Megjithatë duke filluar nga 2020, kapitulli i kësaj industrie do të mbyllet për Nju Jorkun.

Një fitore tjetër për kafshët ishte ndalimi i shkuljes së thonjve të maceve. Shteti i Nju Jorkut u bë i pari që e ndalonte një gjë të tillë.

Me vullnetin për të mbuluar sa më shumë çështje, Nju Jorku i kushtoi rëndësi edhe problemit të ksenofobisë. Komisioni i Qytetit të Nju Jorkut për të Drejtat e Njeriut, ndaloi përdorimin e shprehjes ‘të huaj të paligjshëm’, duke vendosur një gjobë deri në 250 mijë dollarë për ata që e përdorin atë.

"Makineria e dëbimit është diçka reale. Po ndodh çdo ditë. Ka përpjekje për të dëbuar sa më shumë njujorkezë që të jetë e mundur”, thotë Corey Johnson, anëtar i Këshillit Bashkiak të Nju Jorkut.

Përveç kësaj, sipas ligjit të ri, imigrantët në Nju Jork mund të marrin patentë, pavarësisht nga statusi i tyre ligjor. Ata mund ta përdorin atë vetëm, për t’i dhënë makinës, jo për të votuar ose për të udhëtuar me avion në territorin e Shteteve të Bashkuara.

Një ligj tjetër i debatueshëm heq të drejtën për të përdorur arsye fetare, që më pare lejonin prindërit të mos vaksinonin fëmijët. Tani të gjithë fëmijët dhe nxënësit duhet të vaksinohen.

Ka edhe ligje të tjera që pritet të hyjnë në fuqi këtë dimër dhe megjithëse disa prej tyre ngrenë pikëpyetje dhe shkaktojnë debate, synimi i tyre sipas autoriteteve lokale është që Nju Jorku të bëhet një vend më i mirë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG