Në pjesën jugperëndimore të shtetit të Kentakit, pranë kufirit me shtetin Tenesi, ndodhet Fort Campbell, një nga bazat ushtarake më të mëdha në botë. Personeli i bazës dhe familjet e tyre ndikohen thellësisht nga çdo gjë që lidhet me ushtrinë. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Martin Secrest njofton se si komuniteti po i përjeton tensionet aktuale mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit.
Mes fermave bujqësore dhe kryqëzimit të autostradave ndërshtetërore gjendet baza Fort Cambell e Kentakit, një qytet i vogël në vetvete që strehon Divizionin e famshëm Ajror 101. Ekonomia civile e kësaj zone është e ndërlidhur me vetë bazën. Ronnie Ward ka një floktore pranë bazës Fort Campbell.
“80 deri 85 përqind e klientëve të tij janë ushtarakë, që nga ushtari më i ri e deri tek gjernerali në komandë.”
Ai thotë se klientët bëhen si pjestarë të familjes.
“Bëhesh pjesë e jetës së këtyre djemve. E dimë se kush pret të bëhet me fëmijë, apo kush bleu një makinë të re.”
Njëri prej tyre, Sean Heber operon pajisjet e rënda në bazë. Ai thotë se së bashku me kolegët e tjerë janë të gatshëm kurdo që vendi ka nevojë.
“Kemi bërë trajnime të shumta në vitet e fundit, që kur u vendosëm këtu, për të qenë të gatshëm për çdo moment. Jemi gjithmonë të gatshëm që të nisemi drejt frontit.”
Ai thotë se dislokimet larg familjes janë të vështira.
“Kam një vajzë të vogël që nuk e kupton ende se çfarë po ndodh. Di vetëm që babi po largohet. Nga ana tjetër, bashkëshortja ime dëshiron të dijë se çfarë po ndodh. Më pyet se a do të largohem? Por unë nuk e di. I them që do të tregoj sapo ta marr vesh.”
Pak kilometra nga floktorja, Tiffany B., një nënë me dy fëmijë që sherben në ushtri, thotë se druhet se fëmijët e saj nuk i kuptojnë plotësisht fjalët veprime ushtarake.
“Fëmijët nuk i kuptojnë pasojat dhe ndikimin e tyre. U kam thënë fëmijëve që disa njerëz nuk do të kthehen pas nëse situata arrinë deri në atë pikë. Shumë nga 3 mijë trupat me të cilët shkon, mund të mos kthehen pas.”
Në qytetin Hopkisville aty pranë në Kentaki, veteranët e lufëtrave jashtë vendit e dinë saktësisht se çfarë ndodh kur vendet përfshihen në luftë. Ted Wood, i cili pati një karrierë të gjatë me forcat ajrore, thotë se shumë veteranë janë të lodhur nga lufta.
“Njerëzit këtu mendojnë se nuk është detyrë e jona që të luajmë rolin e policit botëror. Nuk kemi buxhet të mjaftueshëm nga taksat. Shumë njerëz, kryesisht ish ushtarakët, janë të lodhur nga lufta.”
Veterani i Luftës së Vietnamit, John Brame, është dakord. Ai thotë se do të shohë që e gjithë bota të jetë e lumtur.
“Dua të shoh një botë të lumtur për të gjithë. Nëse jemi me fat do të jetojmë rreth 80 vjet në këtë planet. Duhet ta jetojmë jetën”, thotë ai.
Facebook Forum