Lidhje

Tiranë: Arrihet marrëveshje pozitë - opozitë për reformën zgjedhore


Forcat kryesore politike arritën sot një marrëveshje për të realizuar me mirëkuptim reformën zgjedhore deri më 15 mars.

Një grup prej 4 anëtarësh, përfaqësues të tre partive kryesore Damian Gjiknuri, Rudina Hajdari, Oerd Bylykbashi dhe Petrit Vasili ranë dakord për miratimin e reformës zgjedhore në mënyrë transparente, gjithëpërfshirëse, konsensuale mes partive politike.

Tiranë: Arrihet marrëveshje pozitë - opozitë për reformën zgjedhore
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:49 0:00

Reforma u ra dakord që të diskutohet dhe hartohet jashtë parlamentit në tryezën politike të partive, dhe produkti i saj konsensual të miratohet pa ndryshime nga komisioni dhe Parlamenti.

Në Këshillin Politik të ngritur mes pozitës dhe opozitës marrin pjesë përfaqësues të opozitës së bashkuar, drejtuesit e Komisionit Parlamentar të Reformës Zgjedhore, si dhe përfaqësues të grupeve parlamentare në Kuvend.

Shumica ra dakord të mos ndryshojë produktin e dakortësuar me opozitën, në Komision apo në seancë plenare. Krahas rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it, palët ranë dakord të diskutojnë edhe çdo problematikë tjetër zgjedhore, që i shërben arritjes së standardeve zgjedhore ndërkombëtare.

Takimi mes përfaqësuesve socialistë dhe demokratë u zhvillua pak kohë pasi kryetari i opozitës Lulzim Basha deklaroi përkrah aleatëve të tjerë se “zgjidhja e krizës politike do të vijë përmes zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në një ditë me zgjedhjet lokale, me një kod zgjedhor që adreson problemet e shitblerjes së votës, kërcënimit të votuesve, presionit ndaj administratës zgjedhore, depolitizimit të Policisë së Shtetit, infrastrukturës zgjedhore, kartave të identitetit, regjistrit të Gjendjes Civile, regjistrit të adresave, lirisë së medias, mosdhunimit të sekretit të votës dhe me një instrument politik që garanton vullnetin politik për të zbatuar çdo ligj ekzistues apo që do të ndryshohet me konsensusin e të gjitha forcave politike, me transparencë dhe gjithëpërfshirje qytetare”.

Nga ana e tij edhe kryeminstri Edi Rama përshëndeti marrëveshjen ndërpartiake. “Përtej më shumë se një viti të humbur në rrugën e konfliktit të çuar deri në ekstremin e mosarsyes, duhet përgëzuar ky rikthim i arsyeshëm në tryezën e dialogut për shkallën e parë të Reformës Zgjedhore, ku të gjitha rekomandimet e OSBE/ODHIR-it do të integrohen në Ligjin Zgjedhor” - shkroi zoti Rama në rrjetet sociale.

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri përshëndeti palët që ranë dakord të punojnë së bashku për reformën zgjedhore, një hap i rëndësishëm për të trajtuar plotësisht rekomandimet e ODIHR-it.

“Reforma do të mbështesë procese zgjedhore të efektshme dhe të besueshme dhe do të forcojë demokracinë shqiptare. Ne shpresojmë që palët të vijojnë të ecin përpara me këtë frymë aktuale bashkëpunimi, për t’u siguruar që zgjedhet në Shqipëri të jenë të lira nga mashtrimi, ndërhyrja dhe korrupsioni” - thuhet në deklaratën e ambasadës së SHBA-ve në Shqipëri.

Marëveshja mes forcave kryesore politike u përshëndet edhe nga Bashkimi Europian. Kreu i misionit të BE-së në Tiranë, Luigi Soreca, tha se marrëveshja e sotme politike është një arritje e rëndësishme për rikthimin e stabilitetit politik në Shqipëri dhe për rrugën drejt integrimit në BE.

“Ne mirëpresim marrëveshjen e sotme ndër-partiake mbi rrugën përpara për një reformë gjithëpërfshirëse zgjedhore, në përputhje me rekomandimet e OSBE-ODIHR. Ne besojmë se të gjitha partitë do të vazhdojnë të punojnë së bashku për të përfunduar një reformë zgjedhore në kohë, që do të miratohet nga Parlamenti, në të mirë të qytetarëve shqiptarë dhe të së ardhmes së tyre evropiane” - tha në rrjetet sociale ambasadori Soreca.

Prezenca e OSBE-së në Shqipëri mirëpriti marrëveshjen e sotme politike për reformën zgjedhore. "E shohim këtë marrëveshje si një hap të parë të rëndësishëm drejt një reforme të plotë e në kohën e duhur, që do të trajtojë të gjitha rekomandimet e OSBE/ODIHR-it, në dobi të të gjithë qytetarëve shqiptarë" - thuhet në deklaratën e OSBE-së, e cila shtoi se mbetet e gatshme të vijojë të ndihmojë në procesin e reformës zgjedhore.

Prezenca e OSBE-së në Shqipëri mirëpriti marrëveshjen e sotme politike për reformën zgjedhore.

"E shohim këtë marrëveshje si një hap të parë të rëndësishëm drejt një reforme të plotë e në kohën e duhur, që do të trajtojë të gjitha rekomandimet e OSBE/ODIHR-it, në dobi të të gjithë qytetarëve shqiptarë" - thuhet në deklaratën e OSBE-së,e cila theksoi se mbetet e gatshme të vijojë ndihmën në procesin e reformës zgjedhore.

Opozita prej kohësh po kërkon përmes shumë protestash zgjedhje të parakohshme dhe beson se reforma zgjedhore mund t'i afrojë ato, ndërsa socialistët mendojnë se reforma zgjedhore i përket zgjedhjeve të rregullta për t'u provuar.

Mbetet për t'u parë edhe reagimi i deputetëve të opozitës parlamentare, nëse do të votojnë pa ndryshime reformën e hartuar me mirëkuptim në një tryezë politike jashtë parlamentit.

Rudina Hajdari, bashkëdrejtuesja e komisionit parlamentar të reformës zgjedhore, mori pjesë në tryezën e sotme, ndërsa më tej tha se duhej të bisedonte me kolegët e saj opozitarë në Kuvend.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG