Lidhje

Ajova dhe debati i kandidatëve demokratë për president


Kandidatët demokratë për postin e presidentit do të zhvillojnë një debat të rëndësishëm të martën në shtetin e Ajovas. Më 3 shkurt, në më pak se tre javë, Ajova bëhet e para që zhvillon votimet paraprake për emërimin e kandidatëve për president, për të vazhduar më tej në gjithë shtetet e tjera. Gjashtë konkurentë demokratë do të jenë në debat ndërsa duken shenja të rritjes së tensioneve mes tyre. Debati vjen në një kohë kur janë shtuar tensionet ushtarake me Iranin, si dhe afrimi i procesit gjyqësor ndaj Presidentit Trump në Senat.

Mes konkurentëve do të jetë edhe kryesuesi i garës së demokratëve në anketat kombëtare, ish zëvendës presidenti Joe Biden. Zoti Biden është përqendruar tek siguria kombëtare duke patur parasysh zhvillimet e fundit me Iranin.

“Prandaj është kaq e rëndësishme të zgjedhim dikë që është i gatshëm që nga momenti që është zgjedhur, të përmirësojë këtë çrregullim dhe menjëherë të bëhet komandant i përgjithshëm i forcave të armatosura.”

Zoti Biden ndodhet përballë një sfide të fortë në shtetet e para që zhvillojnë votime paraprake si Ajova dhe Nju Hampshire, kryesisht nga Senatori Bernie Sanders i shtetit Vermont. Anketat tregojnë se zoti Sanders kryeson në Ajova.

“Shumë njerëz kanë të ardhura të pamjaftueshme. Dhe nuk bëhet fjalë për të përballuar një shtëpi apo makinë të mirë, bëhet fjalë për të mbijetuar nga dita në ditë, pa e ditur nëse javën që vjen do të keni mundësi të ushqeni fëmijët apo paguani faturat e dritave.”

Tensionet po shtohen mes zotit Sanders dhe disa të kandidatëve të tjerë, përfshi Senatoren Elizabeth Warren të shtetit Masaçusets. Sondazhet e fundit tregojnë se zonja Warren ka patur rënie ndërsa gëzon popullaritet në Ajova dhe Nju Hampshër.

“U zhgënjeva kur dëgjova se Bernie po dërgon vullnetarët e tij për të më shkatërruar. Demokratët duhet të bashkohen dhe kjo do të thotë afrimi i të gjitha pjesëve të koalicionit demokrat.”

Por zoti Sanders i ka mohuar akuzat. Një kandidat tjetër i fuqishëm në votimet e hershme është edhe kryebashkiaku i qytetit South Bend të Indianës, Pete Buttigieg. Ai është përqendruar tek uniteti kombëtar.

“Kërkohet një lloj tjetër patriotizmi dhe angazhimi për sigurinë kombëtare. Një dashuri për vendin, që fillon me pranimin se vendi ynë përbëhet nga njerëz, dhe nuk mund ta duash vendin nëse urren gjysmën e popullsisë. Po flas për diçka më të mirë.”

Ish kryebashkiaku i qytetit të Nju Jorkut, Michael Bloomberg nuk është kualifikuar për debatet, por ka patur rritje në anketa pas një fushate masive me reklama televizive, me shpresën për të konkurruar në zgjedhjet paraprake të marsit.

“Di si të hap vende pune dhe ndërtoj biznese, jo sepse kam luajtur një udhëheqës biznesi në një shfaqje televizive, por sepse kam qënë një i tillë në jetën reale.”

Gara në shtetin Ajova duket të jetë e hapur për momentin, thotë analisti John Fortier.

“Gara është e hapur por qartazi Joe Biden kryeson dhe nëse nuk pëson rënie në garat e hershme, ai duket mjaft i fortë.”

Ritmi i fushatës do të intensifikohet gjatë javëve në vazhdim, ndërsa votuesit në Ajova dhe Nju Hampshire bëhen gati që të bëjnë vlerësimet paraprake ndaj konkurentëve demokratë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG