Lidhje

Gjermani, mbahet takimi për paqe në Libi


Udhëheqësit e 12 vendeve u takuan në Gjermani të dielën me shpresën për të hedhur themelet e një armëpushim të qëndrueshëm mes qeverive rivale të Libisë.

Kancelarja gjermane Angela Merkel kishte ftuar në takim udhëheqës botërorë si dhe përfaqësues nga Kombet e Bashkuara, Bashkimi Evropian, Bashkimi Afrikan dhe Lidhja Arabe.

Dy udhëheqësit kryesorë rivalë të Libisë, ish-gjeneralët Khalifa Haftar dhe Fayez Sarraj, ishin gjithashtu të pranishëm.

Turqia dhe Rusia kanë ndihmuar në ndërmjetësimin e një armëpushimi të brishtë në Libi i cili hyri në fuqi javën e kaluar, por të dyja palët kanë akuzuar njëra-tjetrën për prishjen e saj.

Presidenti Vladimir Putin dhe ai turk Rexhep Tajip Erdogan përkrahin respektivisht Khalifa Haftarin dhe Fayes Sarrajin. Gjatë fjalës së tij zoti Erdogan bëri thirrje që Khalifa Haftar të braktisë "qëndrimin armiqësor", siç tha ai.

Shpresohet që takimi ndër të tjera të ndalë ndërhyrjet e vazhdueshme të huaja në konflikt.

Në takimin e nivelit të lartë ishte i pranishëm edhe sekretari amerikan i Shtetit Mike Pompeo. Para fillimit të tij ai "theksoi nevojën për një armëpushim të qëndrueshëm, një proces politik me ndërmjetësimin Kombeve të Bashkuara si dhe fundin e të gjitha ndërhyrjeve të huaja në Libi", njoftoi zëdhënësja Morgan Ortagus.

Qeveritë rivale të udhëhequra nga Haftar dhe Sarraj kanë luftuar për kontrollin e Libisë për vite me radhë që nga rrëzimi prej pushtetit në vitit 2011 dhe vrasja e udhëheqësit të vendit Moammar Gadhafi. Forcat e Haftarit morën kontrollin e qytetit kryesor port Sirte në fillim të këtij muaji, por lufta për kryeqytetin Tripoli, është ndalur që nga muaji prill ndërsa me qindra mijëra civilë janë ngërthyer mes konfliktit.

Mbi 280 civilë dhe afërsisht 2 mijë luftëtarë janë vrarë e me qindra mijëra libianë janë shpërngulur që nga fillimi i ofensivës.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG