Admiruesit e sportit në gjithë botën janë tronditur nga vdekja e papritur e legjendës së basketbollit amerikan, Kobe Bryant. Bryant dhe vajza e tij 13 vjeçare, Gianna ishin mes nëntë vetëve që humbën jetën nga nga përplasja e një helikopteri në Kaliforni. Ata po shkonin në një kampionat basketbolli për të rinj. Kobe Bryant ka hyrë në histori si një nga lojtarët më të mirë, të gjitha kohërave në basketboll.
Zyrtarë të Agjencisë Federale të Aviacionit thanë se helikopteri i rrëzuar ishte i tipit Sikorsky S-76. Ende nuk dihet shkaku i rrëzimit.
Kobe Bryant jetonte në jug të Los Anxhelosit dhe shpesh përdorte helikopterin për të shmangur trafikun e përhershëm të rrugëve në Kaliforninë Jugore. Edhe si lojtar ai shpesh shkonte në stërvitje dhe ndeshje me helikopter, një praktikë që e vazhdoi edhe pasi la basketbollin.
Zyra e Sherifit të distriktit të Los Anxhelesit thotë se hetimi po vazhdon dhe zyrtatët federalë po ndihmojnë dhe i kërkoi publikut që të mos shkojë në vendngjarje.
“Siç mund ta imagjinoni nga ana logjistike, është tmerrësisht e vështirë sepse nuk është e lehtë të shkosh në vendngjarje. Dhe tani përballemi me njerëz që duan të shprehin respektin e tyre. Na duhet të përsërisim: askush nuk lejohet të shkojë atje, përveç ekipeve të ndërhyrjes së shpejtë dhe hetuesve”, tha sherifi Alex Villanueva
Ai nuk pranoi të identifikonte asnjë nga viktimat, duke thënë se zyra e tij do të presë që mjekët ligjorë të bëjnë punën e tyre. Ai e quajti “jashtëzakonisht të papërshtatshme” që faqja e lajmeve TMZ, njoftoi për vdekjet para se autoritetet të informonin familjet..
Kobe Bryant ishte 41 vjeç.
Presidenti amerikan Donald Trump komentoi në Twitter duke e quajtur "një lajm të tmerrshëm", ndërsa zonja e parë Melania Trump shprehu ngushëllimet duke thënë se ata që humbën të dashurit e tyre ishin në mendimet dhe lutjet e saj.
Ish-Presidenti Barack Obama, admirues i njohur i basketbollit, shktuaji në Twitter se Bryant "ishte vetëm në fillimin e një kapitulli të dytë po aq të rëndësisishëm”, sa edhe karriera e tij e basketbollit.
Kareem Abdul-Jabbar, personi që ka shënuar numrin më të madh të pikëve në karrierën e tij në NBA, tha se Bryant "ishte shumë më tepër se një atlet."
Shaquille O'Neal, një legjendë tjetër e basketbollit, shkruante në Twitter "Ndjehem jashtëzakonisht keq."
Edhe yje nga sporte të tjera si Tom Brady i futbollit amerikan dhe Wayne Gretzky i hokeit, shprehën tronditjen e tyre. Liga e Bejsbollit tha se ishte “e trishtuar pa masë”.
Spektatorët në një lojë të futbollit amerikan, NFL brohorisnin "Kobe....Kobe" ndërsa lajmi përhapej në sallë.
Mijëra vetë u mblodhën para qendrës Staples në Los Anxheles, arena e ekipit të tij Lakers. Shumica ishin mbledhur spontanisht, me ndjesinë se duhet të ishin atje.
Kobe Bryant ka hyrë në histori si një nga lojtarët më të mirë, të gjitha kohërave në basketboll.
Pothuajse gjatë gjithë karrierës ai luajti me ekipin Lakers të Los Anxhelosit, duke fituar 5 herë titullin kampion.
Ai mban vendin e 4 mes lojtarëve që kanë shënuar më shumë pikë gjatë karrierës. LeBron James, doli përpara tij në vendin e tretë, vetëm një ditë më parë, të shtunën. Bryant e uroi përmes një postimi në Twitter.
Facebook Forum