Lidhje

Mitch McConnell dhe gjyqi për shkarkimin e Presidentit Trump


Kushtetuta amerikane kërkon që Senati të jetë përgjegjës për mbajtjen e një gjyqi për shkarkimin e presidentit. Por nuk thotë asgjë për mënyrën se si duhet të zhvillohet gjykimi. Ndërsa ekzistojnë disa rregulla që janë përcaktuar për këtë gjykim, drejtimi i tij më tej do të përcaktohet nga udhëheqësi i shumicës në Senati, Mitch McConnell.

Pas kësaj thirrjeje me fjalë të buta qëndron një realitet i vështirë: Mitch McConnell ka pushtetin të përcaktojë rrjedhën e gjyqit të fajësimit të Presidentit Donald Trump. Dhe McConnell është i njohur për kontrollin e vendosur të republikanëve.

U desh një jetë e tërë shtrëngimi duarsh, shkëmbime favoresh dhe fitore në zgjedhje që McConnell të arrinte qëllimin e tij të përjetshëm për të qenë udhëheqësi i shumicës së Senatit amerikan.

Lindur në Alabama, McConnell mposhti poliomielitin në fëmijëri para se të shkonte të jetonte në Kentucky kur ishte 14 vjeç. Në moshën 22 vjeçare, ai u bë praktikant në Senatin amerikan.

Rrugëtimi i McConnell për në krye të Senatit filloi në vitin 1984, duke mposhtur rivalin demokrat me rreth 5,000 vota, dhe duke u bërë i pari republikan që fitoi zgjedhjet në Kentucky në 16 vjet.

Zgjedhja si senator ishte qëllimi i tij i vetëm. Pasi mbërriti aty, McConnell i vuri syrin pozicionit udhëheqës. Përpjekjet e tij për të mposhtur përpjekjet e demokratëve për të kufizuar kontributet dhe shpenzimet në fushatë i dhanë ati një emër të mirë mes republikanëve.

"Askush nuk e njeh Senatin më mirë sesa Mitch McConnell. Ai ka qenë atje për një kohë të gjatë. I njeh nevojat dhe interesat e senatorëve të ndryshëm, veçanërisht në anën republikane", thotë Darryl West me Institutin Brookings.

Kur republikanët ishin në pakicë, McConnell zotëroi rregullat e ndërlikuara të Senatit. Mes tyre: ai që njihet si filibuster, - procesi që lejon çdo senator të flasë në sallën e Senatit për aq kohë sa të jetë e mundur fizikisht, në përpjekje për të mos miratuar ose ndryshuar një ligj.

Mundësia e McConnell për të bllokuar përpjekjet e demokratëve u shpërblye nga republikanët e Senatit, të cilët e zgjodhën si drejtuesin e tyre në vitin 2007.

Kur demokrati Barack Obama u zgjodh president në vitin 2008, McConnell ishte vija e parë e mbrojtjes së republikanëve. Në vitin 2010, ai nuk maskoi qëllimin e qartë të republikanëve - duke bërë një deklaratë që e bëri zotin McConnell të famshëm në partinë e tij dhe duke nxitur një reagim të irrituar nga demokratët.

"Gjatë javës së kaluar, disa thanë se u tregova pa takt kur sugjerova që përparësia jonë kryesore politike gjatë dy viteve të ardhshme duhet të ishte mohimi i Presidentit Obama për një mandat të dytë”.

Obama fitoi rizgjedhjen, por McConnell përfundimisht pati fjalën e fundit në vitin 2016, kur refuzoi të caktonte një seancë apo votim për zgjedhjen e të emëruarit të Obamës, Merrick Garland për një post në Gjykatën e Lartë. Ky vend bosh - dhe shumë të tjerë në të gjithë sistemin e gjykatave federale - - u plotësuan pasi u zgjodh presidenti republikan Donald Trump.

Tani, Trumpi përballet me një gjykim për shkarkim në Senat. Si drejtues i shumicës, McConnell ka votat për të hartuar procedurat. Ai ka pranuar se po koordinon strategjinë me avokatët e zotit Trump, duke u thënë gazetarëve se "nuk është një gjykatës i paanshëm pasi ky është një proces politik".

"Motivimi kryesor i McConnell është mbajtja e kontrollit të shumicës së Senatit nga republikanët. Pothuajse çdo vendim që ai merr është nga ai këndvështrim ... ", thotë Darryl West.

Ndërkohë që disa senatorë republikanë përballen me fushata të vështira për rizgjedhje në shtete të tilla si Maine, Kolorado dhe Arizona, drejtimi i senatorit McConnell për politikën e gjykimit mund të përcaktojë nëse ai do të vazhdojë ta mbajë postin e ëndërrave të tij si drejtues i shumicës në Senat.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG