Lidhje

SHBA, thirrje Kinës të lejojë ekspertët e shëndetësisë


Virusi shpërtheu muajin e kaluar qytetin kinez Wuhan, është shpërndarë tashmë në mbi 18 vende, ndërkohë që qeveritë po marrin masa për ta frenuar. Kina ka një historik të larmishëm për sa i përket transparencës gjatë krizave publike, pjesërisht pasi qeveria e saj autoritare mban një kontroll të rreptë mbi rrjetet e komunikimit në vend. Pas një takimi me drejtorin e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, presidenti kinez Xi Jinping theksoi se vendi i tij është i gatshëm të bashkëpunojë me OBT-në dhe komunitetin ndërkombëtar. Ky angazhim u shpreh ndërsa Uashingtoni i ka bërë thirrje Pekinit të lejojë më shumë ekspertë të shëndetit publik të hyjnë në Kinë për të ndihmuar në frenimin e sëmundjes.

Rastet e para të këtij lloji të ri korona-virusi u raportuan publikisht në fund të dhjetorit në Kinë. Që atëherë, janë dashur javë që zyrtarët të mbledhin të dhëna për shpejtësinë e përhapjes dhe se cilat janë kategoritë më të prekshme.

Tom Frieden, ish-drejtor në Qendrën për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, thotë se janë ende duke shqyrtuar fillimet.

Nga pikëpamja infektive, deri tani është e qartë se kalon nga njeriu tek njeriu, por nuk dimë se për këtë duhet shumë kontakt apo pak kontakt. Ky është në fakt dallim i madh. Nga pikëpamja e vdekshmërisë, dimë se shkakton zakonisht pneumoni, dhe se mund të shkaktojë sëmundje të rënda apo vdekjen. Por, nuk dimë nëse ekzistojnë shumë njerëz që e kanë infeksionin dhe nuk paraqesin simptoma. Janë pra shumë gjëra që nuk dimë”, thotë Tom Frieden, drejtor i organizatës “Resolve to Save Lives”.
17 vite më parë, Kina mundohej të frenonte virusin SARS dhe u kritikua shumë se nuk ndau informacione të rëndësishme.

Tashmë shumë organizata, ndër to edhe OBT-ja, thonë se Kina është përmirësuar. Këtë radhë ajo ka dorëzuar me shpejtësi sekuencën e genomit të virusit, duke mundësuar kështu testimin e shpejtë.

Janë disa fusha në të cilat ka përmirësime të ndjeshme në profesionalizëm dhe transparencë. Ka fusha të tjera ku vazhdojnë të jenë në shkelje dhe kjo na ka kushtuar shumë. Edhe tani rastet e para në Wuhan u njoftuan me dy javë vonesë”, thotë J. Stephen Morrison, i Qendrës për Studime Strategjike dhe të Sigurisë.

Por, mungesa e mbulimit të pavarur mediatik në atë vend autoritar, do të thotë se edhe tani ka pikëpyetje se sa e rëndë është situata në Kinë.

“Besoj e keni vënë re që janë infektuar edhe rreth 15 punonjës të shëndetësisë. Ky është një informacion tepër i rëndësishëm. Është tregues se sa i rrezikshëm është virusi, pasi punonjësit e shëndetësisë nuk infektohen kollaj. Ata e njoftuan këtë vetëm pas 20 janarit”, thotë Yanzhong Huang, i Këshillit për Marrëdhëniet me Jashtë.

Edhe brenda Kinës, zyrtarët janë kritikuar publikisht për reagimin e ngadaltë.

Shpresoj që njerëzit të kuptojnë se publikimi i informacionit nuk ka qenë në kohën e duhur. Kur bëhet fjalë për sëmundje infektive, kemi një ligj në fuqi që parashikon shpëndarjen e informacionit. Si qeveri vendore, ne duhet të marrim autorizim përpara se të informojmë për këtë gjë”, thotë Zhou Xianwang, Kryetar i Bashkisë i qytetit Wuhan.

Sekretari amerikan i Shëndetësisë i bëri thirrje publikisht Pekinit të lejojë më shumë ekspertë të shëndetit publik të hyjnë në vend për të ndihmuar.

Duhen në terren ekspertët e OBT-së dhe Qendrës për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve që të ndihmojnë ekspertët kinezë. Siç tha dr. Fauci, sa më shumë mostra të gjalla të mbledhim, aq më të mira mund të jenë ilaçet apo vaksinat”, tha Sekretari Azar.

Qendra për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve u rekomandon udhëtarëve “të shmangin të gjitha udhëtimet jo të domosdoshme” drejt Kinës.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG