Lidhje

Rama-Stoltenberg, takim në selinë e NATO-s


Kryeministri shqiptar Edi Rama zhvilloi sot në cilësinë e kryesuesit të radhës të OSBE-së, një takim me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-së Jens Stoltenberg në selinë qendrore të Aleancës.

Zoti Stoltenberg theksoi se "OSBE-ja është një forum shumë i rëndësishëm për të diskutuar rreth kontrollit të armëve, transparencës ushtarake dhe masave për të forcuar besimin" dhe se "NATO mirëpret rolin që kjo organizatë luan në Ukrainë dhe zona të tjera konflikti. Këto – tha ai - janë çështje të rëndësishme për NATO-n”, duke shtuar se si kryesues i OSBE-së, zoti Rama mund të gjejë mbështetje te Aleanca.

Kriza në Ukrainë dhe përreth saj është një ndër përparësitë e presidencës shqiptare të OSBE-së.

Në fakt vizita e parë e zotit Rama si kryesues i kësaj organizate ishte pikërisht në Kiev javën e shkuar.

Sa i përket marrëdhënieve dypalëshe, sekretari Stoltenberg vlerësoi rolin e Shqipërisë dhe angazhimin e saj “për stabilitetin dhe bashkëpunimin në rajonin e Ballkanit Perëndimor" si dhe "rolin aktiv në promovimin e politikës së derës së hapur të NATO-s”.

Zoti Stoltenberg theksoi se investimi i NATO-s në bazën ajrore të Kuçovës tregon përkushtimin e NATO-s ndaj Shqipërisë dhe rajonit.

Në selinë e Natos zoti Rama pati dhe një takim me Këshillin e Atlantikut të Veriut për një shkëmbim mendimesh mbi përparësitë e Kryesisë së OSBE-së shqiptare në vitin 2020.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG