Lidhje

BE-ja i jep divorcin Britanisë


Bashkimi Evropian dha miratimin e tij përfundimtar të mërkurën që Britania të largohej nga blloku pas afro gjysmë shekulli anëtarësimi.

Parlamenti i BE-së votoi 621 me 49 në favor të një marrëveshje divorci që negociatorët nga të dy palët ndërmjetësuan vitin e kaluar, dhe që parlamenti i Britanisë e miratoi javën e kaluar.

Britania zyrtarisht do të pushojë anëtarësimin e saj në BE të premten.

Një periudhë tranzicioni do të pasojë deri në fund të vitit me negociata të reja për aspekte të ndryshme të marrëdhënies së re mes të dy palëve.

Pjesë kryesore e këtyre bisedimeve do të jetë një marrëveshje tregtare, të cilën Britania ka thënë se dëshiron ta arrijë para fundit të vitit 2020.

Presidentja e Komisionit të BE-së, Ursula von der Leyen tha të mërkurën se BE-ja është e hapur për një marrëveshje të tregtisë së lirë pa tarifa dhe kuota, por vetëm nëse bizneset e BE dhe kompanitë britanike "konkurrojnë në kushte të barabarta."

Arsyeja kryesore e largimit të Britanisë nga Bashkimin Evropian ishte që ajo të jetë në gjendje të përcaktojë vetë rregullat e saj dhe të mos i nënshtrohet dëshirave të politikave të 27 anëtarëve të tjerë.

Negociatat për një marrëveshje divorci zgjatën dy vjet e gjysmë, me parlamentin e Britanisë që refuzoi një marrëveshje fillestare disa herë dhe Kryeministren Theresa May që dha dorëheqjen në mes të ngërçit të krijuar.

Kryeministri i ri Boris Johnson erdhi në pushtet në korrik duke u zotuar të përfundojë procesin e Brexit-it që filloi me një referendum të vitit 2016.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG