Lidhje

Abbas kërcënon bashkëpunimin në fushën e sigurisë me SHBA dhe Izraelin


Presidenti i Autoritetit Palestinez Mahmoud Abbas kërcënoi të shtunën të ndërpresë lidhjet në fushën e sigurisë me Izraelin dhe SHBA-në gjatë një fjalimi në një takim të Lidhjes Arabe ku ai kritikoi planin e Shtëpisë së Bardhë për dhënien fund të konfliktit izraelito-palestinez.

Plani amerikan parashikon t'u japë palestinezëve vetë-qeverisje të kufizuar në pjesë të pushtuara të Bregut Perëndimor, ndërsa mundëson Izraelit të aneksojë të gjitha vendbanimet e tij atje si dhe të zotërojë pothuajse të gjithë Jeruzalemin Lindor.

Takimi i ministrave të Jashtëm arabë në kryeqytetin e Egjiptit, Kajro u kërkua nga palestinezët, të cilët iu përgjigjën me zemërim propozimit amerikan.

Zoti Abbasi tha se ai u ka thënë autoriteteve të Izraelit dhe SHBA-së se “nuk do të ketë marrëdhënie me ta përfshirë lidhjet e sigurisë”, si pasojë e marrëveshjes që palestinezët thonë se favorizon shumë Izraelin.

Udhëheqja palestineze e mbështetur nga perëndimi, ka qenë nën presionin në rritje të palestinezëve të zakonshëm dhe rivalëve të tij në grupin militant islamik Hamas, për t’i ndërprerë lidhjet në fushën e sigurisë me Izraelin dhe SHBA-në apo dhe të çmontojë Autoritetin Palestinez gjithnjë e më pak popullor.

Kjo do të bënte që Izraeli të ishte përgjegjës për detyrën e ndërlikuar e të kushtueshme të ofrimit të shërbimeve themelore për qindra mijëra palestinezë në Bregun Perëndimor.

Palestinezët kanë bërë kërcënime të tilla edhe në të kaluarën dhe vetëm pak njerëz i kanë marrë ato seriozisht. Por kjo herë mund të jetë e ndryshe, veçanërisht nëse Izraeli vazhdon me aneksimin e vendbanimeve të tij në Bregut Perëndimor, që palestinezët dhe shumica e bashkësisë ndërkombëtare i konsiderojnë të paligjshme.

Zoti Abbas gjithashtu mund të ndërpresë marrëveshjet me agjencitë amerikane të zbulimit për të luftuar ekstremizmin.

Deri tani nuk ka pasur asnjë koment nga SHBA-ja apo zyrtarë izraelitë mbi deklaratën e zotit Abbas.

XS
SM
MD
LG