Lidhje

Koronavirusi, Pekini akuzon Uashingtonin


Pekini akuzoi Shtetet e Bashkuara se po ngjall panik rreth koronavirusit, duke kufizuar udhëtimet dhe duke evakuuar shtetasit e saj nga Kina, në vend që të ofrojë ndihmë.

Komentet e Ministrisë së Jashtme kineze vijnë ndërkohë që tregjet e aksioneve në Kinë pësuan rënie të madhe për shkak të virusit të ri që po përhapet me shpejtësi.

Kina hapi të hënën një spital me 1000 shtretër që u ndërtua me shpejtësi për të përballuar shpërthim koronavirusit, i cili ka infektuar më shumë se 17,200 njerëz, me të paktën 361 të vdekur vetëm në Kinë.

Organizata Botërore e Shëndetit thotë se pret që numri i infektimeve të rritet pasi të vijnë rezultatet e testeve nga mijëra raste në pritje.

Virusi është kufizuar kryesisht në Kinë, ndërkohë që janë rreth 150 raste në 23 vende të tjera. Filipinet njoftuan të dielën vdekjen e parë jashtë Kinës nga koronavirusi.

Wuhani dhe disa qytete të tjera janë bllokuar pothuajse tërësisht dhe Kina po përballet me një izolim ndërkombëtar në rritje për shkak të sëmundjes.

Autoritetet kineze po përpiqen të frenojnë përhapjen e koronavirusit, duke krijuar ndalime të lëvizjeve në rajone të caktuara dhe duke zgjatur pushimet për t'i mbajtur njerëzit larg shkollave dhe grumbullimeve të tjera të mëdha.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG