Fokusi i zgjedhjeve paraprake presidenciale për vitin 2020 për demokratët tani është zhvendosur në shtetin Nju Hempshër pas konfuzionit për rezultatet e vonuara në shtetin Ajoua, i cili u krijoi vështirësi kandidatëve kryesorë. Zgjedhjet paraprake të martën në Nju Hempshër do të jenë gara e dytë për pretendentët që kërkojnë të marrin emërimin e partisë së tyre.
Disa votues në Nju Hempshër thonë se janë të irrituar që Ajoua nuk nxori një fitues të qartë.
“Ideja është të zgjedhim dikë që do të jetë fitues. Pra nëse dikush fiton në Ajoua, e di që ka hyrë në garë për të fituar”, thotë votuesi Daniel Torpin.
Por rezultatet në Nju Hempshër nuk përputhen gjithmonë me ato të Ajouas.
Shumë prej kandidatëve të Partisë Demokrate shkuan për herë të parë në Nju Hempshër për të bërë fushatë pa ditur rezultatet e votimit në Ajoua. Rezultat u vonuan për shkak të problemeve teknike.
Pete Buttigieg, ish-kryetar i bashkisë së Sauth Bendit, në shtetin Indiana, fillimisht tha se po vinte në Nju Hempshër si fitimtar, por më vonë reagoi me kujdes ndaj epërsisë së tij në Ajoua, kur ishin raportuar vetëm rezultatet e pjesshme.
"Pak më vonë sesa parashikuam, por më mirë vonë se kurrë", tha Buttigieg.
Senatori i Vermontit, Bernie Sanders, i cili ishte shumë pranë, në vendin e dytë, theksoi se fitoi më shumë vota në dy raundet e para në sistemin e komplikuar të zgjedhjeve në Ajoua.
Rezultatet fillestare të pjesshme e vunë senatoren Elizabeth Warren, në vendin e tretë. Ndërsa ish nënPresidenti Joe Biden doli në vendin e katërt, një goditje kjo për fushatën e tij.
Zoti Biden nuk e pranoi disfatën duke thënë, "është koha që të flasë Nju Hempshëri."
Në vitin 2016, Hillary Clinton fitoi në Ajoua por humbi keq nga Sanders në Nju Hempshër.
Këtë vit në Nju Hempshër, është e paqartë nëse fituesi do të përcaktojë nëse demokratët mbështesin krahun liberal apo të moderuar të partisë.
Kandidatët liberalë si Warren dhe Sanders dëshirojnë të rrisin pjesëmarrjen e votuesve duke bërë thirrje për ndryshime transformuese - duke e bërë kujdesin shëndetësor dhe arsimin në kolegj falas.
Përkrahësit e Bernie Sanders në Mançester, Nju Hempshër thonë se demokratët thjesht duhet të dalin të votojnë për të fituar zgjedhjet presidenciale në nëntor.
"Ka shumë mbështetje nga Partia Demokrate, por është aq e shpërndarë. Askush nuk po e kupton se bashkimi është vërtet ajo që do të ndihmojë këtë parti për të fituar”.
Megjithatë Presidenti Trump ka denoncuar propozimet e demokratëve për kujdes të zgjeruar shëndetësor si socializëm ndërsa fillon fushatën për rizgjedhje.
Sidoqoftë, kandidatët e moderuar si Buttigieg, Biden dhe senatorja e Minesotës Amy Klobuçar po propozojnë përmirësime shtesë në sistemin aktual, si një mënyrë për të fituar përsëri votuesit e pavarur dhe republikanët e pakënaqur.
Kështu që, në fund të fundit, zgjedhjet paraprake në Nju Hampshër mund të prodhojnë një rezultat të ndarë, gjë që mund të çonte në një zgjatje të garës mes kandidatëve demokratë në shtetet që pasojnë, Nevada, Karolina e Jugut dhe të tjera, në prag të asaj që quhet Super e Marta në muajin mars.
Facebook Forum