Lidhje

Rriten përplasjet izraelito-palestineze pas planit Trump për paqe në Lindjen Mesme


Të paktën dy palestinezë u vranë dhe 16 izraelitë u plagosën të enjten në një seri incidentesh në Jeruzalem dhe në Bregun Perëndimor, ku dhuna është rritur pas publikimit nga SHBA të planit të paqes për Lindjen e Mesme.

Autoritetet njoftuan se trupat izraelite qëlluan për vdekje dy palestinezë në Bregun Perëndimor, njeri prej të cilëve gjeti vdekjen gjatë përleshjeve të dhunshme. Në Jeruzalem një makinë u përplas ndaj disa ushtarëve izraelitë duke plagosur 14 prej tyre. Në një tjetër incident një person i armatosur plagosi një polic.Të dy sulmet dyshohet se janë kryer nga palestinezët.

Trazirat e shkaktuara nga palestinezët janë nxitur nga zemërimi lidhur me planin e Presidentit amerikan Donald Trump për paqe në Lindjen e Mesme, i cili është përqafuar nga Izraeli dhe është refuzuar nga palestinezët.

Plani synon t’i japë Izraelit pjesën më të madhe të asaj që ka kërkuar gjatë dekadave të tëra konflikti, përfshirë qytetin e shenjtë të diskutueshëm të Jeruzalemit dhe gati të gjithë tokën e pushtuar në të cilën ka ndërtuar vendbanime.

Palestinezët, të cilët e kanë shmangur prej kohësh administratën Trump, duke e akuzuar atë për qëndrim të njëanshëm në favor të Izraelit, thonë se plani qëndron shumë larg kërkesave të tyre për një shtet të pavarur si dhe për garantimin e të drejtave të tjera. Edhe disa kombe arabe e kanë kundërshtuar planin ndërsa Bashkimi Evropian ka refuzuar pjesë të tij.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG