Lidhje

Kinë, vdekja e mjekut ngjall zemërim ndaj autoriteteve


Vdekja e një mjeku i cili u qortua se paralajmëroi për virusin e ri të Kinës, shkaktoi një furi lavdërimesh për të dhe zemërim që autoritetet komuniste e vendosin politikën mbi sigurinë publike.

Pas vdekjes, Dr. Li Wenliang u bë mishërimi i zemërimit të fortë ndaj kontrollit të Partisë Komuniste në pushtet mbi informacionin dhe ankesat se zyrtarët gënjejnë ose fshehin shpërthimet e sëmundjeve, derdhjet e materialeve kimike, produktet e rrezikshme të konsumit ose mashtrimet financiare.

Okulisti 34-vjeçar vdiq brenda natës në Spitalin Qendror të Wuhanit, ku ai punoi dhe ka gjasa të ketë marrë virusin gjatë trajtimit të pacientëve në ditët e para të shpërthimit të virusit.

“Një hero që publikoi informacione në lidhje me epideminë e Wuhanit në fazën e hershme. Dr. Li Wenliang është i pavdekshëm”, shkroi shkencëtari kryesor i Qendrës së Kinës për Kontrollin e Sëmundjeve, Zeng Guang, në një blog të rrjetit social kinez Sina Weibo.

Policia në dhjetor kishte qortuar tetë mjekë, ndër edhe dr. Li-në, për paralajmërimin e miqve në mediat sociale në lidhje me kërcënimin që ishte shfaqur. Gjykata e Lartë e Kinës e kritikoi më vonë policinë, por Partia Komuniste gjithashtu ka forcuar ndërkohë kontrollin e saj mbi informacionin rreth shpërthimit të virusit.

Përdoruesit e rrjetit social Weibo kanë lënë qindra mijëra mesazhe nën postimin e fundit të të ndjerit Li.

Një postim i njërit prej bashkëpunëtorëve të zotit Li, një infermiere në dhomën e urgjencës, tha që moti i ftohtë i Wuhanit ishte “po aq i zymtë sa gjendja ime shpirtërore”.

“Për ju, ne jemi engjëj dhe kaq të fortë. Por, sa e fortë mund të bëhet një zemër dhe të shohë pa u tronditur njerëzit pranë që bien një nga një?'', shkruajti zonja Li Mengping në llogarinë e saj të verifikuar.

Të tjerët fajësuan për vdekjet zyrtarët kinezë, dhe jo ndonjë specie shtazore nga ku mund të ishte përhapur virusi, dhe thanë që ata që i krijuan telashe mjekut duhet të përballen me pasojat. Komentet më të spikatura në internet u fshinë shpejt nga censuruesit.

Partia qeverisëse është përballur me akuza të ngjashme për sjellje të egër pas katastrofave të mëparshme. Ato përfshijnë shpërthimin e vitit 2003 të sindromës së rëndë akute të frymëmarrjes (SARS), një derdhje kimike të vitit 2005 që ndërpreu furnizimin me ujë të miliona njerëzve në verilindje të Kinës, për shitjen e qumështit të ndotur që sëmuri mijëra fëmijë, si dhe për dështimin e kompanive private financiare pas krizës globale ekonomike.

Në secilin rast, zyrtarët u akuzuan se po përpiqeshin të fshihnin ose vononin lëshimin e informacionit që publikut i nevojitej për t'u mbrojtur.

Partia komuniste shpesh përgjigjet duke lejuar që publiku të çlirohet përkohësisht, pastaj përdor kontrollin e saj për mediat dhe internetin për të shtypur kritikat. Personat që vazhdojnë të kritikojnë, mund të burgosen me akuza të paqarta për përhapjen e thashethemeve ose krijimin e telasheve.

Në rrugët e Pekinit, banorët shprehen me trishtim dhe thonë se Kina duhet të mësojë nga dr. Li.

“Ai ishte një njeri aq i mirë, por nuk ia doli dot”, tha Ning Yanqing. “Ata që mbeten, nuk guxojnë të flasin. Mjerisht, nuk di çfarë të them''.

Disa komente në internet të premten kanë lënë të kuptohet se pakënaqësia është realisht më e gjerë, ndaj partisë dhe presidentit kinez Xi Jinping që ka forcuar kontrollin mbi shoqërinë që nga marrja e pushtetit në vitin 2012.

Drejtuesi më i fuqishëm kinez, të paktën që nga vitet '80-të, Xi i dha vetes mundësinë e presidentit të përjetshëm, duke ndryshuar kushtetutën kineze në vitin 2018 për të hequr një limit dy-vjeçar.

Duke iu referuar njërës prej nismave të tij propagandistike, një mesazh që qarkullonte në mediat sociale thoshte: “Ëndrra ime kineze është e thyer”.

Në Wuhan, udhëheqësit lokalë u akuzuan se u thanë mjekëve në dhjetor të mos e shpallnin përhapjen e virusit, në mënyrë që të mos lihej në hije takimi vjetor i një organi legjislativ vendor.

Ndërsa përhapej virusi, mjekët u urdhëruan të fshinin postimet në mediat sociale që bënin thirrje për dhurime të furnizimeve mjekësore. Kjo shkaktoi ankesa se autoritetet shqetësoheshin më shumë për imazhin sesa sigurinë publike.

Dr. Li u ndalua nga policia pasi paralajmëroi për virusin në një grup të mediave sociale për ish-shokët e tij të klasës.

Episodi i fundit është jashtëzakonisht i vështirë për partinë në pushtet pasi zoti Li ishte mjek, pjesë e një grupi që vlerësohen si heronj të mbingarkuar dhe të paguar pak, të cilët janë vija mbrojtëse e Kinës kundër një sëmundjeje të re të frikshme.

“Ai tregoi një qëndrim të përgjegjshëm ndaj shoqërisë”, tha Cai Lin, një banor i Pekinit. “Ai tregoi sinqeritet dhe besnikëri. Kështu që unë mendoj se e gjithë shoqëria duhet të reflektojë për këtë.”

Organizata Botërore e Shëndetit, e cila ka lavdëruar përgjigjen e Kinës ndaj shpërthimit, u shpreh në një mesazh në Twitter se: “Ne jemi të pikëlluar thellë nga vdekja e Dr. Li Wenliang. Të gjithë duhet të kujtojmë punën që ai bëri kundër virusit''.

Aparati i propagandës zyrtare u përpoq të premten të qetësojë opinionin.

"Disa nga përvojat e Li Wenliang-ut gjatë jetës së tij pasqyrojnë mangësitë në parandalimin dhe kontrollin e epidemisë", tha televizioni shtetëror në faqen e tij të internetit.

Ambasadori kinez në Uashington, Cui Tiankai, tha në Twitter, një platformë që censura e internetit e partisë e bllokon për publikun: “Me të vërtetë i trishtuar nga vdekja e Dr. Li Wenliang. Ai ishte një mjek shumë i përkushtuar. Ne jemi shumë mirënjohës ndaj tij për atë që ai ka bërë në përpjekjet tona të përbashkëta duke luftuar kundër virusit 2019nCoV. ''

Qeveria njoftoi se një ekip nga Pekini do të dërgohej në Wuhan për të hetuar “çështjet e raportuara nga masa, që përfshijnë Dr. Li Wenliang”.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG