Lidhje

Shkup, shpërndahet parlamenti


Parlamenti i Maqedonisë Veriut u vetëshpërbë sot (të dielën) pasdite. 108 deputetët e pranishëm në seancë votuan për shpërndarjen e tij duke i hapur rrugën zgjedhjeve të parakohshme parlamente të planifikuara të mbahen më 12 prill.

Kryetari i Parlamentit, Talat Xhaferi falënderoi ligjvënësit për “bashkëpunimin dhe besimin” e treguar gjatë këtyre tre viteve.

Akti i shpërndarjes së parlamentit u parapri me debate të gjata, shpesh herë me një atmosferë të tensionuar kryesisht mes deputetëve të VMRO-së opozitare dhe të Lidhjes Social Demokrate në pushtet, mbi ligjin për Prokurorinë dhe disa ligje të tjera.

Miratimi i ligjit për Prokurorinë Publike, që është pjesë e paketës së reformave të gjyqsorit e disa ligje të tjera ishin kushti që kishte vendosur ish-Kryeministri Zoran Zaev dhe kryetari i Lidhjes Social Demokrate, në mënyrë që të shkohej në zgjedhje të parakohshme. Por opozita e drejtuar nga VMRO-DPMNE-ja hedhi akuza të rënda ndaj LSDM-së dhe zotit Zaev se me anë të ligjit për Prokurorinë po “amnistonte veten e tij dhe kriminelët rreth tij”, siç u shprehën përfaqësues të saj.

Nga ana tjetër, ekspertë dhe njohës të rrethanave politike në Maqedoninë e Veriut kanë reaguar gjatë përpilimit të ligjit, sepse nuk do të lejohen që bisedat e përgjuara telefonike, apo “bomba” siç njihen ndryshe në opinionin publik, të mund të përdoren në procese gjyqësore.

Shumica parlamentare e mbështetur edhe nga disa ligjvënës të shkëputur nga VMRO-ja, arriti të sigurojë dy të tretat e votave të nevojshme, gjithësej 80 vota për miratimin e ligjit. Ligjvënësit e VMRO-DPMNE-së reaguan ashpër dhe i kërkuan presidentit Stevo Pendarovski që të mos e dekretojë ligjin.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG