Lidhje

Kushtetuesja, presidenti akuza të reja ndaj shumicës


Në Shqipëri presidenti Ilir Meta akuzoi të enjten ministrinë e Drejtësisë se ka vepruar në shkelje të ligjit duke urdhëruar botimin ne Fletoren zyrtare të vendimit të Këshillit të emërimeve në Drejtësi mbi vlerësimin dhe pikëzimin e kandidatëve për në Gjykatën Kushtetuese, me qëllim zyrtarizimin në mënyrë të paligjshme të zonjës Arta Vorpsi si anëtare e kësaj gjykate.

Zoti Bledar Dervishi, këshilltar Juridik i presidentit, bëri publik një letër këmbim mes Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, parlamentit, ministrisë së Drejtësisë dhe Qendrës së Botimeve zyrtare. Duke ju përgjigjur një kërkese për informacion nga ana e kryetarit të parlamentit për ecurinë procesit të emërimeve të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, më 8 Nëntor 2019, kryetari i KED-së, Ardian Dvorani, shkruan se duke qenë se presidenti Ilir Meta nuk ka shfrytëzuar afatin 30 ditor për përzgjedhjen e një prej kandidatëve të listës dërguar nga KED, kandidatja Arta Vorpsi konsiderohet e shpallur anëtare e Gjykatës Kushtetuese. “Me këtë shkresë zoti Ardian Dvorani ka konfirmuar faktin se ka shpërdoruar detyrën”, deklaroi zoti Dervishi.

Pas përgjigjes nga ana e zotit Dvorani, sekretari i Përgjithshëm i Parlamentit, më datë 9 Nëntor, i drejtohet Ministrisë së Drejtësisë duke i përcjellë letrën e zotit Dvorani. Brenda së njejtës ditë, Ministria ja përcjell për botim Qendrës së botimeve zyrtare (QBZ) vendimin e marrë nga KED në shtator, për vlerësimin dhe pikësimin e kandidatëve. Zoti Dervishi vuri në dukje faktin se “Neni 232 i ligjit “Për organet e qeverisjes në sistemin e Drejtësisë, përcakton në pikën 2 të tij se se “Të gjitha aktet e verifikimit, vlerësimit dhe të renditjes për secilin kandidat, të miratuara nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi bëhen publike në faqen zyrtare të internetit të Gjykatës së Lartë”. Në fakt ky akt është botuar që në shtator në faqen e internetit të Gjykatës së Lartë.

Duke ju referuar Ligjit “Për organizimn dhe funksionimin e Qendrës së botimeve zyrtare”, zoti Dervishi shpjegoi se aktet që përcillen për botim janë të përcaktuara një një nen të posaçëm dhe vendimet e KED nuk përfshihen në asnjë prej kategorive. Po ashtu Neni 8 i këtij ligji përcakton se “1. Aktet e botueshme, të parashikuara në nenin 6, të këtij ligji, publikohen në Fletoren Zyrtare, vetëm atëherë kur versioni përfundimtar në origjinal i aktit është nënshkruar nga organi që e ka nxjerrë atë dhe me kërkesën e tij. 2. Teksti i akteve të botueshme në Fletoren Zyrtare i dërgohet Qendrës së Botimeve Zyrtare në formatin e shkruar në letër dhe në formatin elektronik nga institucionet shtetërore përkatëse që kanë miratuar aktin”.

Në këto rrethana duket tërësisht e pavend kërkesa e ministrisë së Drejtësisë për botimin në Fletoren zyrtare të një akti që, së pari nuk hyn në kategorinë e atyre që botohen në këtë fletore dhe së dyti që nuk është miratuar nga Ministria e cila bën kërkesën për botim.

Këshlltari juridik i presidentit Meta, vuri në dukje dhe një element tjetër. Letra e parlamentit drejtuar Ministrisë së Drejtësisë, është protokolluar prej kësaj të fundit me numrin 7576, ndërkohë që kërkesa po e Ministrisë drejtuar Qendrës së Botimeve zyrtare mban numrin e protokollit 7575. “Nga kjo provë rezulton se mnistria e rejtësisë e ka përcjellë për botim aktin pa marrë ende një njoftim ngaparlamenti. Dhe letra e parlamentit ka ardhur vetëm në mbëhstetje të veprimit antiligjor të ministrisë së Drejtësisë. Ky është një falsifikim. Kështu që për të gjitha këto fakte, strukturat e presidencës së Republikës, po përgatisin kallzimin penal, drejtuar Prokurorisë speciale e cila duhet të thërrasë të gjithë përsonat e përfshirë”, deklaroi zoti Dervishi.

Nga ministria e Drejtësisë nuk ka patur ende asnjë reagim apo shpjegim rreth akuzave në drejtim të saj.

Faktet e tij zoti Dervishi i bëri publike në një konferencë shtypi në prani të presidentit Meta, i cili prej kohësh është përfshirë në një përplasje të hapur me shumicën për emërimet e anëtarëve të Gjykatës kushtetuese. Përpasje e cila u rindez së fundmi, pas miratimit nga ana e parlamentit të disa ndryshimeve ligjore që synojnë të shmangin betimin e anëtarëve të kësaj gjykata vetëm përpara Kreut të shtetit. Një lëvizje të cilën zoti Meta e ka cilësuar si një “grusht shteti”, ndërsa ka paralajmëruar dhe ka ftuar qytetarët “në 2 Mars, në Bulevardin "Dëshmorët e Kombit" t'i japim paralajmërimin e fundit kësaj bande që nuk ka ditë që nuk përdhunon Kushtetutën dhe ligjet e vendit”, shkroi ai të enjten në një postim në Facebook.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG