Lidhje

Pas shfajësimit nga Senati, Presidenti Trump e kthen vëmendjen tek rizgjedhja


Që kur Senati votoi për shfajësimin e tij, Presidenti Donald Trump ka vënë në shënjestër ata që i dolën kundër gjatë procesit për shkarkimin e tij, u ka bërë favore aleatëve dhe ka vazhduar të përfshijë njerëz besnikë të tij në administratë. Zërit të Amerikës i hedh një vështrim përpjekjeve të Presidentit për të konsoliduar pushtetin, ndërsa bëhet gati për betejën për rizgjedhje.

Para simpatizantëve që brohorisnin, Donald Trumpi drejtoi limuzinës e blinduar presidenciale në pistën a garës së makinave Daytona 500 fundjavën e kaluar, hera e parë që një president amerikan e bën një gjë të tillë.

“Presidentit Trump i pëlqejnë gjestet mëdha, lëvizjet e guximshme dhe kjo e ka karakterizuar gjithë personalitetin e tij publik, edhe kur ishte një qytetar privat”, thotë Matthew Continetti i Institutit Amerikan “Enterprise”.

Mes këtyre lëvizjeve të guximshme kohët e fundit, ka qenë presioni ndaj prokurorëve federalë për të reduktuar dënimin e ish-këshilltarit të tij politik, Roger Stone, që është shpallur fajtor se ka gënjyer hetuesit, pengimi i Kongresit dhe frikësimi i dëshmitarëve në rastin e ndërhyrjes ruse në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016.

“E trajtuan shumë keq, nëntë vjet burg rekomanduar nga katër vetë që ndoshta ishin njerëzit e Muellerit. Nuk di se cilët ishin këta prokurorë”, tha ai duke folur për rastin e ish-këshilltarit, Roger Stone.

Presidentët rrallë komentojnë për çështjet ende të hapura, për të shmangur perceptimin se po ndikojnë në procesin ligjor. Por Presidenti Trump ka bërë të kundërtën.

Ai mbrojti gjithashtu shkarkimin e ambasadorit amerikan në Bashkimin Evropian, Gordon Sondland dhe Alexander Vindmanit, Drejtorin për Çështjet Evropiane në Këshillin e Sigurisë Kombëtare. Të dy ata dëshmuan kundër presidentit në gjyqin për shkarkimin.

“Sjellja e tij pas shfajësimit nga Senati, konfirmon shqetësimin më të madh që kanë njerëzit për të: se ai nuk ka temperamentin që njerëzit do të donin të shihnin tek një president. Njerëzit nuk duan një president me sjellje hakmarrëse”, thotë Geoffrey Garin, një specialist demokrat sondazhesh.

Përkrahësit e Presidentit, i hedhin poshtë këto kritika dhe thonë se ai po shpërblen besnikërinë politike, ashtu siç bëjnë të gjithë presidentët. Pas tre vjetësh në detyrë, zoti Trump vazhdon të dëshmojë se vlerëson besnikërinë personale, duke spastruar Këshillin e Sigurisë Kombëtare nga personeli i ish-presidentit Obama dhe duke risjellë ish-drejtoren e komunikimeve, Hope Hicks si këshilltare dhe ish-ndihmësin personal John McEntee për të mbikqyrur Zyrën e Personelit të Presidentit.

“Ai do që ta rrethojë veten me njerëz tek të cilët ka besim dhe përpiqet që të mos ketë të bëjë me njerëz që nuk i njeh, apo njerëz që ishin në administratë që para tij, që i kanë dalë kundër në çdo hap që kur u bë president”, thotë zoti Continetti.

Presidenti Trump po shpreson gjithashtu se ekonomia e fortë do ta ndihmojë të rizgjidhet, megjithëse disa nga përkrahësit e tij nuk e pëlqejnë stilin e tij të komunikimit pa doreza.

“Askush nuk e bën më të qartë argumentin për problemet me karakterin e Presidentit Trump, sesa ai vetë. Njerëzit e shohin çdo ditë. Dhe në sondazhet tona ne shohim se një numër i konsiderueshëm votuesish që thonë se janë dakord pak a shumë me të përsa i takon çështjeve të ndryshme, por jo me mënyrën se si sillet”, thotë zoti Garin.

Ndërsa kanë mbetur tetë muaj deri në zgjedhjet presidenciale, presidenti Trump po bën fushatë intensivisht, duke bërë tubime me simpatizantët e tij çdo javë dhe po mbledh fonde, që deri tani kanë arritur shifrën 200 milionë dollarë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG