Lidhje

Marrëveshja bërthamore me Iranin dhe përpjekjet për ta shpëtuar atë


Zyrtarë të lartë të vendeve që janë ende pjesë e marrëveshjes bërthamore me Iranin do të takohen në Vjenë të mërkurën në një përpjekje për të shpëtuar marrëveshjen. Ky është takimi i parë që kur Gjermania, Franca dhe Britania janë ankuar zyrtarisht për shkelje të marrëveshjes nga Teherani, çka mund të rrezikojë rivendosjen sanksionet të OKB-së ndaj këtij vendi.

Përpjekjet për të shpëtuar marrëveshjen historike të vitit 2015 kanë humbur terren që kur Presidenti Donald Trump u tërhoq nga marrëveshja në vitin 2018 duke rivendosur sanksionet ndaj Iranit.

Në takimin e së mërkurës do të marrin pjesë diplomatë të lartë nga Irani, Britania, Franca, Gjermania, Kina, Rusia dhe BE-ja. Ata kanë premtuar ta mbështesin marrëveshjen që i kërkon Iranit të reduktojë programin e prodhimit të armëve bërthamore në këmbim të lehtësimit të sanksioneve.

Por pas tërheqjes së SHBA-së nga marrëveshja, Irani i ka shkelur kufizimet për pasurimin e uraniumit. Kjo ka nxitur tre vende evropiane që në mes të muajit janar të vendosnin në lëvizje atë që njihet si mekanizmi i zgjidhjes së mosmarrëveshjeje, për shkak të mospajtimit të Iranit me kushtet e parashikura në marrëveshje.

Presidenti Trump ka thënë se marrëveshja me Iranin ka "të meta të mëdha", pasi nuk kufizon programin e raketave balistike të Teheranit apo nuk adreson çështjen e mbështetjes që Teherani u jep grupeve terroriste në Lindjen e Mesme.

Irani këmbëngul se programi i tij bërthamor është vetëm për qëllime paqësore.

XS
SM
MD
LG