Lidhje

Shanset e demokratëve në Teksasin konservator


Texas-Super Tuesday WEB

Shteti jugor amerikan Teksas njihet si "Shteti i yllit të vetmuar", për shkak të historisë së tij si një republikë e pavarur. Por, a do t’i përmbahet historisë së tij si një shtet i ngurtë konservator, apo po e pranojnë gjithnjë e më shumë teksanët senatorin e Vermontit, Bernie Sanders? Zoti Sanders e ka quajtur veten “socialist” dhe paraqitet me një axhendë të madhe dhe të kushtueshme, ndërsa kërkon të jetë kandidati demokrat që do të përballet me Presidentin Donald Trump në nëntor. Nesër mbahen votime brenda partive në një pjesë të madhe të shteteve amerikane, duke i dhënë kështu kësaj dite emërtimin Super e Marta. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Carolyn Presutti, vizitoi pjesët tradicionale të Teksasit për të zbuluar se kujt do t’i takojë trofeja e dytë më e madhe e Super të Martës prej 228 delegatësh.

Teksasi është disi i ndryshëm. Me ritmin e tij të qetë…

Dhe traditat e forta.

"E marrim shumë seriozisht pjekjen e mishit", thotë një teksane.

Ashtu si edhe politikën.

"Ne jemi një shtet i kuq", thotë Gary Buster, banor i Teksasit.

Disa mund të thonë "i kuq flakë" për shkak të konservatorëve në këtë shtet.

Në vitin 1980, republikani Ronald Reagan fitoi 55% të votave në Teksas dhe në vazhdim mori presidencën. Që atëherë, çdo katër vjet, Teksasi ka votuar për kandidatët republikanë për President.

Por tashmë, kjo traditë mund të ndryshojë. Ndërsa Partia Demokrate e këtij shteti ka qenë historikisht e moderuar, Senatori Bernie Sanders --- një socialist demokrat që promovon "Kujdesin shëndetësor për të gjithë" - po kryeson në sondazhe.

"Ai premton gjëra shumë të mira, veçanërisht kujdesin shëndetësor", thotë Juanita Loca, e cila votoi për zotin Sanders.

"Mendoj se socializmi demokrat me të vërtetë ua heq fuqinë bizneseve të mëdha dhe ua kthen njerëzve", thotë Anita Basudevan.

Të tjerët nuk e shpjegojnë dot sharmin e tij.

"Nga krijimi i pasurisë si pjesë e ëndrrës amerikane, tani jemi zhvendosur tek ndjesia e turpit nëse jemi të pasur", thotë John Conte, votues republikan.

Ekspertët thonë se votuesit e rinj dhe hispanikët do të dalin për të mbështetur zotin Sanders në Super të Martën. Për dy vjet, hispanikët pritet të bëhen më shumë se të bardhët, pra shumica në Teksas.

"Të rinjtë, pakicat, do të bëjnë ndryshimin për ta shndërruar Teksasin në blu", thotë Mike Jordan, votues në Teksas.

Në gjysmëfinalen e rodeos amerikane, një republikane thotë se mund ta lërë partinë e saj në nëntor për ish-kryetarin e Bashkisë së New York-ut Mike Bloomberg.

"Nëse Bloomberg emërohet kandidati demokrat, atëherë do më duhet të marr një vendim të vështirë", thotë Marci Willenberg, votuese republikane.

Sondazhet e fundit tregojnë se zoti Sanders fiton me 30% të votave, duke ia kaluar ish-Nënpresidentit Joe Biden. Konsulenti veteran i Partisë Republikane në Teksas, Craig Murphy, thotë se shifrat e zotit Sanders nuk përputhen.

"Edhe kur humbi përballë Hillary-it herën e fundit, ai kishte 35%. Pra, ai del me më pak pikë se katër vjet më parë", thotë zoti Murphy.

Lupe Valdez është dëshmitare e ndryshimit të votimeve në Teksas. Ajo u zgjodh në kontenë Dallas, dhe u bë sherifja e parë homoseksuale hispanike në Shtetet e Bashkuara. Por, ajo nuk fitoi nominimin për të kandiduar për guvernatore. Ajo ka mendimin e saj për zotin Sanders.

"Unë mendoj se ai po premton shumë gjëra për të cilat njerëzit mendojnë se do të bëhen. Por, megjithëse më pëlqejnë idetë e tij, tani mendoj se duhet ta ulë ritmin ", thotë ajo për zotin Sanders.

Por, të tjerë mendojnë se duhet lëvizur më shpejt. Sidoqoftë, ky është Teksasi, ku në Super të Martën, çdo kandidat dëshiron të rrëmbejë shumicën e 228 delegatëve të shtetit.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG