Lidhje

Kandidatët demokratë përballen me një provë të fortë 


Senatorja e Minesotës, Amy Klobuchar, i dha fund fushatës së saj presidenciale të hënën dhe dha mbështetjen për ish-Nënpresidentin Joe Biden. Ish-kryetari i bashkisë së South Bendit, Pete Buttigieg, gjithashtu shpalli mbështetjen për zotin Biden, pasi njoftoi të dielën largimin nga gara. Aleancat në ndryshim vijnë ndërsa beteja për emërimin presidencial të Partisë Demokrate arrin një nivel të ri intensiteti sot, kur 14 shtete në të gjithë vendin mbajnë zgjedhje paraprake. Senatori i Vermontit, Bernie Sanders është favorit në disa nga shtetet ku votohet në këtë Super të Martë, por zoti Biden shpreson që fitorja e tij në Karolinën e Jugut të shtunën e kaluar do t'i japë fushatës së tij një shtytje gjatë votimeve të së martës.

Joe Biden shpreson se fitorja që siguroi në Karolinën e Jugut do ta ndihmojë atë të fitojë vota në 14 shtetet ku votohet këtë Super të Martë.

"Nëse demokratët mund të më emërojnë mua, unë besoj se ne mund ta mundim Donald Trump-in, ta mbajmë Nancy Pelosi-n në Dhomën e Përfaqësuesve si kryetare dhe të marrim përsëri Senatin e Shteteve të Bashkuara!", deklaroi zoti Biden.

Fitorja e zotit Biden në Karolinën e Jugut e bën atë alternativën kryesore përballë Senatorit të Vermontit, Bernie Sanders, i cili kryeson.

I vetëshpallur demokrat socialist, Bernie Sanders shpreson tek fitorja në dy shtetet më të mëdha ku votohet të martën, në Kaliforni dhe Teksas.

"Ne jemi një lëvizje e bazës shumë-brezëshe, multi-raciale, e cila do të krijojë një ekonomi dhe një qeveri që funksionon për të gjithë, jo vetëm për një përqindshin", deklaroi zoti Sanders.

E marta është gjithashtu testi i parë i madh për ish-kryetarin e bashkisë të Nju Jorkut, Michael Bloomberg.

Miliarderi Bloomberg ka shpenzuar qindra miliona dollarë në reklama televizive dhe do të përballet me votuesit për herë të parë.

Ish-kryebashkiaku është kritik ndaj menaxhimit nga Presidenti Trump të përgjigjes ndaj shpërthimit të koronavirusit.

"Në një kohë kur presidenti duhet të jetë duke e lënë politikën mënjanë dhe duke bashkuar popullin amerikan, ai vazhdon të përçajë duke luajtur politikë partiake. Ne thjesht nuk mund ta bëjmë këtë”, tha zoti Bloomberg.

Demokratët kanë më pak kandidatë për të zgjedhur.

Senatorja e Minesotës, Amy Klobuchar i dha fund fushatës së saj të hënën, një ditë pasi ish-kryebashkiaku i South Bend, Indiana, Pete Buttigieg u tërhoq nga gara pas rezultateve të dobëta në Karolinën e Jugut.

"Unë nuk do të kërkoj më të jem kandidati demokrat i vitit 2020 për president. Por, unë do të bëj gjithçka të mundshme për t’u siguruar se do të kemi një president të ri demokrat në janar", tha zoti Buttigieg.

Edhe miliarderi Tom Steyer i dha fund fushatës së tij gjatë fundjavës.

"Sinqerisht, nuk shoh ndonjë mundësi për të fituar presidencën", tha zoti Steyer.

Senatorja e Masaçusets Elizabeth Warren është ende në garë, duke luftuar për të fituar delegatët e Super të Martës, edhe pse ajo ka patur rezultate të dobëta deri më tani.

"Dhe nëse duam një qeveri që nuk funksionon vetëm për të pasurit dhe të fuqishmit, por edhe për pjesën tjetër, do të duhen ndryshime të mëdha strukturore", tha Senatorja Warren.

Më shumë se 1300 delegatë përcaktohen në votimet paraprake të Super të Martës, pra rreth një e treta e delegatëve që do të marrin pjesë në Konventën Kombëtare Demokrate në korrik.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG