Lidhje

Kosova shënon 22 vjetorin e fillimit të luftës me debate rreth marrëdhënieve me aleatët


Kosova shënon 22 vjetorin e fillimit të luftës me debate rreth marrëdhënieve me aleatët
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:28 0:00

Në Kosovë të enjten filluan manifestimet treditëshe në përkujtim të 22 vjetorit të betejës së fshatit Prekaz të komunës së Skenderajt, që shënoi edhe fillimin e luftës gati dy vjeçare në Kosovë.

Më 5 mars të vitit 1998, forcat serbe rrethuan familjen Jashari në këtë fshat. Gjatë disa ditë luftimesh humbën jetën 54 anëtarë të familjes përfshirë edhe Adem Jasharin që shqiptarët e njohin si komandant legjendar të ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Dhjetë vjet pas asaj beteje Kosova shpalli pavarësinë e saj me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe vendeve kryesore të Bashkimit Evropian, ndërsa vazhdon të kundërshtohet nga Beogradi.

Udhëheqësit e institucioneve të Kosovës morën pjesë pos tjerash edhe në një parakalim të Forcës së Sigurisë në kazermën që mban emrin Adem Jashari.

“Ju jeni ushtri moderne, jeni ushtri bashkëkohore, jeni ushtri multientike. Ju do të pajiseni me pajisjet më moderne të një ushtrie bashkëkohore dhe ky ishte edhe mesazhi dhe diskutimi im edhe në Pentagon, ditë më parë, për forcimin dhe pajisjet e ushtrisë së Kosovës me pajisjet më moderne që do t’i ketë një ushtri në rajonin tonë”, tha presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.

“Të thuash se po jetojmë në një kohë ku lufta është e paimagjinueshme është thjeshtëzim, por edhe naivitet. Ne nuk do të bëjmë naivin përderisa kemi në kufi një shtet i cili jo vetëm që nuk njeh ekzistencën tonë, por punon çdo ditë që ta ndryshoj realitetin tonë, dhe, furnizohet me armatim e pajisje nga fuqi që janë kundër NATO-s”, tha kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

“Forcat tona do të zhvillohen edhe më tej si forcë ushtarake profesionale dhe ndërvepruese me forcat e NATO-s. Ato që tani janë të gatshme të kontribuojnë në operacione të paqes jashtë territorit të vendit, në partneritet dhe koordinim të plotë me NATO-n. Por, ne duam që ky partneritet strategjik të thellohet edhe më tej. Prandaj, anëtarësimi në NATO mbetet objektiv strategjik i Republikës sonë për të cilin do të angazhohemi me gjithë potencialin tone”, tha kryetarja e parlamentit të Kosovës,Vjosa Osmani.

Prakalimi i bëri bashkë në një vend presidentin Hashim Thaçi dhe kryeministrin Albin Kurti, në një peiudhë kur të dy janë duke u përplasur nga distanca për të ardhmen e marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara që janë sfiduar për shkak të refuzimit të qeverisë që të përmbushë kërkesat amerikane për heqjen e tërësishme të tarifave ndaj mallrave serbe, për t’u hapur rrugë bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë - Serbi.

Por, kryeministri, Albin Kurti tha sot se aleancën me Shtetet e Bashkuara nuk mund ta cenojë askush.

“Është interes yni strategjik e jetik aleanca e përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kjo aleancë tejkalon interesat e ngushta e të përkohshme pasi ne ndajmë aspirata të përbashkëta të një shoqërie të lirë e të hapur, të bazuar në të drejtat e njeriut, në ekonominë e tregut dhe barazi në mundësi. Këtë aleancë nuk mund ta cenojë e ta prish askush, sepse ajo është krijuar e kultivuar me gjenerata”, tha kryeministri Kurti.

Zyrtarët amerikanë po i kërkojnë Kosovës që të heqë tarifat e vendosura në nëntor të vitit 2018 ndaj mallrave serbe, që çuan në pezullimin e bisedimeve, ndërsa Beogradit i kanë kërkuar më parë që t’i jap fund fushatës për tërheqjen e njohjeve të pavarësisë së Kosovës.

Propozimi i kryeministrit Kurti për heqjen e kushtëzuar të tarifave nuk u mbështet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës të cilat thanë se nuk i mbështesin masat gjysmake dhe se qëndrimi amerikan është që tarifat duhet të hiqen tërësisht.

Ndërsa, Bashkimi Evropian u shfaq me qëndrim më të butë duke mirëpritur vendimin e kryeministrit Kurti, si hap i parë drejt heqjes së tërësishme të tarifave ndaj mallrave serbe.

Çështja e tarifave është edhe temë debatesh brenda koalicionit qeverisës, meqë Lidhja Demokratike e Kosovës kërkon që tarifat të hiqen tërësisht. Të dyja partitë e koalicionit thonë se po diksutojnë rreth gjetjes së një zgjidhjeje për të tejkaluar këtë çështje, e cila ka rritur trysninë ndaj qeverisë së Kosovës.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG