Lidhje

Kaliforni, priten rezultatet e testeve të pasagjerëve të anijes turistike


Autoritetet po presin rezultatet e testeve për koronavirus të premten për disa pasagjerë e anëtarë të ekuipazhit në një anije turistike e cila ndodhet në karantinë në det, pranë brigjeve të Kalifornisë.

"The Grand Princess" u ankorua pranë San Françiskos të enjten pas vdekjes së një pasagjeri si pasojë e COVID-19 dhe infektimit të të paktën katër personave të tjerë. Më shumë se 3.500 personat në bordin e anijes janë urdhëruar të qëndrojnë aty në një përpjekje të zyrtarëve për të mos përhapur virusin vdekjeprurës. Autoritetet thanë se janë testuar 45 persona.

"Anija nuk do të ankorohet në breg derisa të vlerësojmë siç duhet pasagjerët", tha Guvernatori i Kalifornisë Gavin Newsom.

Një burrë nga Sakramento që kishte lundruar me këtë anije në muajin shkurt rezultoi të ishte prekur nga koronavirusi. Dy pasagjerë të tjerë po nga ai udhëtim janë shtruar në spital në Kaliforni ndërsa dy qytetarë kanadezë që kishin lundruar kohët e fundit me të njëjtën anije u testuan pozitiv pas kthimit në shtëpi.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG