Lidhje

Studim mbi Gjykatat e Apelit në Shqipëri


graphics about justice system in Albania
graphics about justice system in Albania

Në Tiranë, u publikua të premten një studim mbi zvarritjen e proceseve gjyqësore në të 6 gjykatat e Apelit të Shqipërisë.Studimi zbuloi se mungesat e konsiderueshme në trupat gjyqësore, i shtyjnë gjyqet nga 4 muaj deri në 18 muaj.

Qendra për Çështje të Informimit Publik INFOÇIP publikoi sot një studim krahasues mbi punën në gjykatat e apelit para dhe pas reformës në drejtësi, ku tani edhe për shkak të vettingut, është zgjatur më tej koha e proceseve gjyqësore dhe është vështirësuar zhvillimi I tyre.

Studim mbi Gjykatat e Apelit në Shqipëri
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:31 0:00

Studimi përfshin mbi 40 mijë vendime nga të 6 gjykatat e apelit në 4 vitet e fundit. Gjykatat e prokuroritë po zbrazen për shkak të largimit deri tani të mbi 143 prej tyre, ose 60% të gjyqtarëve dhe prokurorëve, që kanë hyrë në procesin e përzgjedhjes janë rrëzuar.

Raporti i largimeve me emërimet e reja është 2/1, pra për cdo dy gjyqtarë të larguar nga reforma, emërohet një gjyqtar i ri nga Shkolla e Magjistraturës. Por gjyqtarët e rinj nuk mund të punojnë në gjykatat e apeleve, sepse aty kërkohet përvojë pune disavjeçare.

“Para fillimit të procesit të vetingut, Shqipëria kishte rreth 12 gjyqtarë për 100 mijë banorë. Sipas Komisionit Evropian për Efikasitetin e Drejtësisë (CEPEJ), mesatarja evropiane është 21 gjyqtarë për 100 mijë banorë. Reforma në Drejtësi duhet të eci drejt standarteve europiane. Reforma e rretheve gjyqësore e cila sipas ligjit duhet te perditesoje kompetencën tokësore çdo 5 vjet duhet të marrë në analizë treguesit e ngarkesës dhe të vonesave eventuale. Reforma duhet të synojë më parë plotësimin me trupë gjyqësore të gjykatave ekzistuese para se të konsiderojë heqjen fare nga harta të gjykatës” - tha Gert Shella, drejtues i Qendrës Studimore INFOÇIP.

Sipas studimit, Gjykatës së Apelit në Vlorës i mungojnë 4 gjyqtarë, dhe gjyqet atje zgjasin 18 muaj; Gjykata e Apelit në Tiranë ka 13 gjyqtarë më pak, dhe gjyqet aty zgjasin 16 muaj; Apelit të Shkodrës i mungojnë 4 gjyqtarë dhe gjyqet atje zgjasin 12 muaj. Në Apelin e Durrësit gjyqet zgjasin rreth 10 muaj, por ajo ka ngelur me 5 gjyqtarë dhe për shkak të dëmtimeve nga tërmeti është vendosur në Kavajë. Në Apelin e Korçës, gjyqet zgjatin 4 muaj, por tani ka mbetur me vetëm 2 gjyqtarë. Apeli me treguesit më të mirë është gjykata e Gjirokastrës, ku ka ikur vetëm një gjyqtar, dhe proceset zgjasin rreth 3 muaj.

“Gjykatat e Apelit në rrethe janë në vështirësi të mëdha dhe kjo është një kambanë alarmi. Trupat gjyqësore janë në minimumin e tyre dhe janë në pamundësi objektive për të gjykuar procese me themel. Mungesat duhen plotësuar në kohë para se të afrohet një dështim” - tha në konferencë avokati Saimir Visha.

Nga ana tjetër, drejtuesja e KLGJ-së, Naureda Llagami, theksoi se vështirësitë e sistemit të drejtësisë po trajtohen me kujdes nga institucionet e reja të ngritura nga reforma në drejtësi dhe po zgjidhen dhe duhen zgjidhur me bashkëpunim mes tyre.

Autorët e studimit dhe ekspertë të tjerë të drejtësisë kërkuan në konferencë të barazohen largimet e gjyqtarëve prej vettingut me prurjet e reja prej shkollës së magjistraturës, sepse edhe përpara reformës gjykatat kishin mungesa në trupat gjyqësore, jo më tani që po ikin afro gjysma e gjyqtarëve.

Ata theksuan se zvarritja e proceseve gjyqësore është një nga shqetësimet kryesore të qytetarëve shqiptarë, që e ulin besimin e tij tek drejtësia, e cila duhet të flasë pa vonesa, e në të kundërt është një drejtësi e munguar.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG