Lidhje

Ndikimi i koronavirusit në industrinë e turizmit në Florida


Florida është një nga destinacionet më të njohura turistike në Shtetet e Bashkuara. Klima e ngrohtë dhe plazhet e bukura tërheqin pushuesit dhe ata që janë të gatshëm të zhvendosen ose të pensionohen në këtë shtet. Por me kërcënimin e një epidemie të koronavirusit, gjërat mund të mos duken aq mirë për turizmin në Florida.

Pas shpërthimit të koronavirusit në të gjithë botën, zyrtarët në Florida kanë filluar të përgatiten për mundësinë e goditjes së industrisë e tyre të turizmit nga virusi COVID 19.

Nëse virusi vazhdon të përhapet Shoqata Globale Biznesit të Udhëtimit thotë se shpenzimet për udhëtime mund të bien me mbi 30 për qind në të gjithë botën.

Tani për tani, pasiguria është faktori më i madh.

"Unë nuk mendoj se ne dimë sa duhet për këtë virus në këtë pikë për të bërë një deklaratë të saktë në lidhje me atë se cilat shtete do të preken më shumë, ato jugore apo ato veriore. Por ne mund ta marrim si shembull Kinën, dhe ne nuk kemi parë vërtet ndryshime të mëdha atje", thotë Michael Mina nga Qendra për Sëmundjet Ngjitëse në Universitetin e Harvardit.

Asnjë nga njëmbëdhjetë aeroportet ndërkombëtare të Shteteve të Bashkuara që lejojnë fluturimet nga Kina nuk ndodhen në Florida.

Megjithatë, Florida është një nga portet më të ngarkuara të anijeve në vend. Në vitin 2019, më shumë se 1200 anije turistike u nisën nga Majami me mbi 6 milionë pasagjerë në bordin e tyre.

Një nga kompanitë më të mëdha, Carnival Cruise Lines thotë se vazhdon punën si zakonisht duke lundruar në Amerikën e Veriut dhe Australi.

Megjithatë, pasagjerëve që kanë arritur në Shtetet e Bashkuara nga Kina, Hong Kongu dhe Makao dhe kanë rezervuar bileta për të udhëtuar me anije turistike nga Florida u është ndaluar përkohësisht hyrja në bordin e të gjitha anijeve të kompanisë.

"Për kompanitë dhe bizneset turistike gjëja më e rëndësishme është ndoshta të marrin parasysh në fakt se cilat vende, për momentin, kanë më shumë raste (me korona virus). Tani për tani, nuk do të ishte ide e mirë që të dërgohen grupe turistësh në Iran, Korenë e Jugut ose në Kinë", thotë Michael Mina nga Qendra për Sëmundjet Ngjitëse në Universitetin e Harvardit.

Disa universitete në Florida si Universiteti Ndërkombëtar i Floridës kanë pezulluar përkohësisht udhëtimet në vendet si Italia, Singapori, Japonia dhe Koreja e Jugut dhe një numër projektesh shkencore ndërkombëtare janë anuluar gjithashtu.

Richard Serino, profesor në Fakultetin e Shëndetit Publik të Universietit të Harvardit, thotë se Florida do të goditet nga koronavirusi i ri pak më vonë, si nga pikëpamja mjekësore ashtu edhe nga ajo ekonomike.

"Tani për tani ne mendojmë se ka një shkallë të lartë të vdekshmërisë, sepse nuk kemi të dhëna të mjaftueshme nga Kina, nuk e dimë saktësisht se sa njerëz me të vërtetë sëmuren. Çdo ditë ka informacione të reja, ne mësojmë më shumë çdo ditë. Kjo është koha për t’u përgatitur në rast se situata përkeqësohet. Qendra për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve njoftoi se gjendja do të përkeqësohet para se të fillojë të përmirësohet", tha Richard Serino nga Fakulteti i Shëndetit Publik në Universitetin e Harvardit.

Rastet e para të koronavirusit u konfirmuan në Florida në javën e parë të marsit, ndërsa këtë javë u njoftua për dy viktima. Autoritetet lokale kanë intensifikuara përpjekjet për të informuar në internet banorët vendas dhe turistët për përhapjen e virusin në këtë shtet.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG