Lidhje

Sfida e barazisë gjinore në fushën e sportit


Atletet në mbarë botën, veçanërisht në vendet konservatore përballen me diskriminim, ngacmim dhe kritika për dëshirën e tyre për të ndjekur një karrierë në sport. Tema e Ditës Ndërkombëtare të Gruas këtë vit është "Secila për barazi – duke krijuar një botë të barabartë gjinore". Kjo përfshin edhe gratë që merren me sport, të cilat garojnë dhe nderojnë vendet e tyre, por ndonjëherë nuk vlerësohen aq sa burrat që merren me sport.

Shamila Kohestani, ish-kapitene e ekipit kombëtar të Afganistanit në futboll, kishte përkrahjen e familjes në përpjekjen e saj, megjithëse ajo ende duhej të përballej me sfidat që lidhen me sportet për gratë në një shoqëri konservatore.

"Është jashtëzakonisht e vështirë për gratë që të merren me sport në një vend ku gratë ende konsiderohen si qytetare të dorës së dytë. Kur fillova të luaja futboll, ne nuk kishim ekip futbolli për gratë. Edhe kur vizitova Federatën e Futbollit në Afganistan, nuk kishte gra që punonin atje, dhe ne nuk kishim ekipe."

Situata për gratë sportiste në vendet fqinje të Azisë Jugore nuk është ndryshe.

"Pra, sa herë që luanim në fushë, mbaj mend që portierja e ekipit tim shqetësohej sepse mbrapa portës vinin burra që pëshpërisnin ose bërtisnin fjalë të rënda, fyese dhe të natyrës seksuale. Ata e ngacmonin atë", thotë ish kapitenja e ekipit pakistanez të futbollit dhe basketbollit për gra, Sana Mahmud.

Pavarësisht pengesave dhe vështirësive, ekziston një anë e ndritshme sepse vitet e fundit, gratë janë bërë gjithnjë e më të spikatura në sport.

"Këtu në Jordani, ne kemi mbështetje nga Federata e Futbollit dhe qeveria. Ne kemi qenë organizator të Kupës së Botës në futboll për femrat nën moshën 17 vjeçare në vitin 2017. Ne gjithashtu ishim organizator të finales së Kupës së Azisë në futboll për gratë në vitin 2018. Kam arritur shumë pikërisht këtu në Jordani. Për shembull, unë jam gruaja e parë që kam marr licencën profesionale të trajnerit në futboll”, thotë Manar Fraij, trajnere e futbollit në Jordani.

Megjithatë, ekspertët shqetësohen se politika mund të përkeqësojë situatën e sportisteve në disa vende të përfshira në konflikte.

"Lindja e Mesme po përjeton konflikte të shumta tani. Në konflikte gratë janë grupi më i rrezikuar. Kështu që unë mendoj se vendet më të vështira (për gratë) tani janë Jemeni, Siria, dhe në një masë më të vogël Libia", thotë Merissa Khurma nga Nisma Speciale për Lindjen e Mesme në Qendrën Wilson.

"Unë mendoj se një nga shqetësimet në lidhje me procesin e paqes në Afganistan është se ai mund të çojë në një situatë kur talebanët janë në gjendje të gëzojnë një farë pushteti më të madh. Pasojat për gratë dhe sigurisht atletet femra, në këtë rast, do të ishin të mëdha", thotë Michael Kugelman nga Programi për Azinë Jugore në Qendrën Wilson.

Hendeku gjinor sa i përket pagave është një çështje tjetër me të cilën duhet të përballen gratë që merren me sport në shoqëritë patriarkale, por nuk është kështu në vendet ku qeveritë mbështesin sportet.

"Qeveritë e Kinës, Japonisë dhe Koresë, qeveritë po investojnë shumë në përmirësimin e infrastrukturës për zhvillimin e sporteve për atletët meshkuj dhe femra. Qeveritë e vendeve në zhvillim, si Filipinet, Indonezia, Vietnami, Kamboxhia, nuk po investojnë në këtë fushë", thotë Lee Hawkins nga Fondacioni i Akademisë së Futbollit Aziatik.

Sfidat janë të shumta por heqja dorë nuk është një opsion për këto sportiste të vendosura.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG