Lidhje

COVID-19: A po e përcjell Presidenti me realizëm situatën në vend?


Ndërsa shtohet përhapja e koronavirusit në Shtetet e Bashkuara, Presidenti Trump është kritikuar për deklarata të pasakta dhe të pavërteta në lidhje me kërcënimin e koronavirusit. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Patsy Widakuswara, shqyrton pse disa thonë se stili unik i komunikimit i presidentit nuk është i dobishëm gjatë një krize të shëndetit publik.

Presidenti Donald Trump nënshkroi të premten legjislacionin që siguron më shumë se 8 miliardë dollarë fonde federale për vaksinat, testet dhe trajtimet e mundshme për virusin COVID-19.

Unë kërkova dy e gjysmë dhe më dhanë 8.3 (miliardë dollarë). Po i pranoj", tha Presidenti Trump.

Por, disa kanë kritikuar Trump për nënvlerësimin e krizës së koronavirusit…

"Dhe për sa i përket rasteve, ato janë shumë, shumë pak", tha Presidenti Trump.

Ndërkohë që e tepron rreth reagimit të administratës së tij.

"Administrata ime gjithashtu ka ndërmarrë veprimin më agresiv në historinë moderne për të mbrojtur amerikanët nga koronavirusi", tha Presidenti Trump.

Dhe ka deklarata ndoshta të pavërteta…

"Në prill, kur ngrohet (moti), historikisht ka mundur ta vrasë virusin", tha Presidenti Trump.

Gjithashtu edhe shaka të rastit...

"Unë nuk e kam prekur fytyrën prej disa javësh. Javë të tëra. Më mungon", tha Presidenti Trump.

Në kohë krize, analistët thonë se njerëzit presin nga lideri i tyre që të luajë rolin e “Kryeqetësuesit të Kombit”. Vanessa Beasley është profesore e retorikës presidenciale në Universitetin Vanderbilt.

"Historia e Shteteve të Bashkuara na tregon se ne duam që presidentët të jenë pozitivë. Pra, besimi i publikut rritet kur presidentët japin një mesazh pozitiv. Por, problemi këtu është se nuk mund të jesh aq pozitiv sa të tingëllosh sikur je jorealist ose thjesht po u qëndron larg fakteve qëllimisht”, thotë profesore Beasley.

Deklaratat e Presidentit Trump janë korrigjuar herë pas here nga vetë zyrtarët e tij.

"Mund të kenë vaksina, mendoj, relativisht shpejt", deklaroi Presidenti Trump.

"I gjithë procesi do të zgjasë të paktën një vit e një vit e gjysmë", shtoi Anthony Fauci, Drejtor i Institutit Kombëtar të Alergjisë dhe Sëmundjeve Infektive.

Mbështetësit e presidentit thonë se shumica e njerëzve mund të dallojnë nëse ai është duke folur seriozisht apo jo.

Kur e shihni në sallën ku mbahen seancat e informimit, ai shfaqet si autoritar. Ua lë stafetën ekspertëve dhe kështu me radhë. Dhe, sigurisht, kur e shihni më pas në ndonjë nga tubimet e tij, ai është shumë më i guximshëm, shumë më argëtues dhe kjo ofron më shumë mundësi për sulm", thotë Matthew Continetti, nga Instituti Amerikan i Sipërmarrjes.

Në një krizë të shëndetit publik, ekspertët thonë se komunikimi i qartë dhe i besueshëm është thelbësor. Kjo është arsyeja pse retorika e Presidentit Trump mbi koronavirusin mund të dëmtojë fushatën e tij të rizgjedhjes.

"Do të fillojmë të shohim njerëzit të thonë ‘prit njëherë, ndoshta ka rëndësi nëse ai është i besueshëm. Ndoshta ka rëndësi nëse ka fakte apo jo’. Mendoj se është një nga gjërat që një krizë e shëndetit publik i sjell në epiqendër të presidencës së tij. Diçka që disa nga situatat e tjera dhe madje edhe krizat që kemi patur deri më tani nuk e kanë bërë", thotë profesorja Beasley.

Një anketim tregon se 37% e votuesve janë dakord me vlerësimin e Presidentit Trump se administrata e tij po bën një "punë të shkëlqyer" në trajtimin e koronavirusit.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG