Lidhje

Koronavirusi prek edhe Shqipërinë


Koronavirusi prek dhe Shqipërinë. Mesnatën e së dielës ministria e Shëndetësisë njoftoi për dy rastet e para. Behët fjalë për një 54 vjeçar dhe djalin e tij 28 vjeçar, të cilët kishin udhëtuar më parë në Firence të Italisë. Sipas njoftimit “gjendja e tyre shëndetësore është e stabilizuar dhe nuk paraqesin komplikacione. Strukturat e urgjencës kombëtare dhe Institutit të Shëndetit Publik janë duke ndjekur protokollin klinik dhe epidemiologjik për të dy rastet”.

Ministria e Shëndetësisë, bëri më pas të ditur se të dy personat e prekur “kanë qëndruar disa ditë në Firence dhe kanë udhëtuar në rrugë tokësore nga Firence drejt Tiranës, nëpërmjet pikës së Hanit të Hotit me makinë personale. Menjëherë pas shfaqjes së shenjave klinike dhe lajmërimit të urgjencës kombëtare në nr.127 i janë marrë mostrat, të cilat u konfirmuan nga laboratori i virologjisë në Institutin e Shëndetit Publik”. Ministria shpjegoi se ndërkohë “strukturat e shëndetit publik po realizojnë hetimin epidemiologjik dhe marrjen e mostrave të kontakteve” të personave të prekur.

Autoritetet përsëritën "thirrjen për qytetarët që kanë udhëtuar nga vende të prekura dhe ndjejnë simptoma të ngjashme me gripin, të telefonojnë në nr.127, ku mjekët tanë do t'i përgjigjen çdo rasti”.

Mëngjesin e të hënës është thirrur ndërkohë një mbledhje e Qeverisë, ku pritet të diskutohen masat shtesë që do të duhet të ndërmerren.

Të dielën gjatë ditës, si pasojë e një situate gjithnjë e më kritike në Itali por dhe Greqi, dy vendet me të cilat Shqipëria ka lëvizje të shumta, presidenti Ilir Meta bëri thirrje për “forcimi maksimal i masave parandaluese sanitaro-epidemiologjike”. SIpas tij “për shkak se gjendja në Itali por edhe përhapja në rritje në Greqi, dy vende me të cilat kemi shkëmbimet më intensive, imponon aplikimin e masave të "Zonës së Kuqe", si ato të marra në Itali, aplikimin e të gjitha kufizimeve e veprimeve që ky regjim kërkon, si dhe marrjen e masave organizative energjike dhe të monitoruara 24 orë në 24”. Kreu i Shtetit theksoi gjithashtu nëvojën për të vënë “në dispozicion financim të plotë, shumë më të madh se ai i deritanishëm, për përballimin e situatës si dhe sigurimin e mbrojtjes së plotë dhe efikase të të gjithë personelit mjeksor të mobilizuar për përballimin e situatës. Angazhimin e të gjithë kualiteteve njerëzore shkencore, por edhe të atyre me eksperiencë në fushën e epidemiologjisë e higjenës, qofshin edhe jashtë shërbimit aktiv”.

Më vonë përmes një statusi në Facebook, ministrja e Shëndetësisë Manastriliu bëri të ditur se “po diskutojmë me ekspertët e Komitetit teknik, për masat e shtuara për parandalimin e depërtimit dhe përhapjes së koronavirusit të ri, pas vendimit që hyri sot në fuqi në vendin fqinj për izolimin total të zonave të kuqe. Çdo masë e shtuar dhe vendim që do të merret, do të vendoset nga eskpertët”, theksoi zonja Manastirliu.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG