Lidhje

Shqipëri, shkon në 10 numri i të prekurve nga koronavirusi


Në Shqipëri ka shkuar në 10 numri i personave të prekur nga koronavirusi. Nga të gjithë personat e prekur, 3 janë që nuk kanë lidhje me njëri tjetrin, ndërsa shtatë të tjerët janë të afërm ose familjarë të rastit të parë të zbuluar, 28 vjeçarit të kthyer nga Italia. Autoritetet njoftuan sot ndërprerjen e të gjitha flutrimeve dhe lidhjeve detare për pasagjerët me Italinë. Po ashtu është vendosur që një pjesë e administratës do të lejohet të punojë nga shtëpia, e po ashtu një pjesë e shërbimeve që janë online nuk do të ofrohen më nëpër sportele. Po sot qeveria dhe opozita u përfshinë në replika, pas denoncimeve të kësaj të fundit se maskat e shpërndara personelit mjekësor ishin të skaduara

Shqipëri, shkon në 10 numri i të prekurve nga koronavirusi
please wait

No media source currently available

0:00 0:04:04 0:00

Që nga mbrëmja e së dielës kur u zbuluan dy rastet e para, deri sot pasdite, numri i të prekurve nga koronavirusi ka shkuar në 10

"Janë testuar 114 raste të dyshuar, prej të cilëve vetëm 10 janë pozitiv. Dhe te kjo dhejtëshe janë dy të sëmurët e arë, janë 6 vetë që janë kontakte të këtyre dy rasteve dhe kemi dy raste të tjera të palidhura me dy rastet e para. Një i sëmurë i shtruar në spitalin Infektiv me histori udhëtimi në Milano, dhe një tjetër i shtruar në spitalin e Durrësit”, deklaroi zëvendësministrja e Shëndetësisë Mira Rakacolli.

Në Durrës, rezulton të jetë e shtruar një grua e moshuar, edhe ajo me një histori udhëtimi po në Itali. Të shtruarit në spitalin Infektiv në Tiranë janë tre, së bashku me 4 persona të dyshuar, të cilët janë në pritje të përgjigjes së analizave. Në total deri pasdite, ishin në proces, analizat për 18 të dyshuar.

Autoritetetet vendosën sot ndërprerjen e fluturimeve dhe lidhjeve detare për pasagjerët me Italinë, pas vendimit të qeverisë italiane për ta shpallur të gjithë territorin e saj zonë në mbrojtje.

Në mbledhjen e qeverisë pasdite, kryeministri njoftoi për një sërë masash të tjera: “Nga dita e nesërme do të çojmë në shtëpi të gjithë atë pjesë të administratës që mund të vazhdojë të punojë përmes kompjuteri, që bën punë zyre e që ka një kompjuter e që zakonisht bën atë punë. Nga nesër ne nuk do të japim më shërbime nëpër sportele për të gjitha aplikimet online. Të gjithë prindërve që kanë një fëmijë në moshën e çerdhes, kopshtit apo arsimit bazë dhe që nuk janë në këtë pjesë të administratës që do shkojnë në shtëpi për të punuar nga shtëpia, ne do t’i japim menjëherë kohën sa i kemi dhënë dhe të formalizojmë sot lejen për të shkuar në shtëpi, për të mbajtur fëmijët në shtëpi, për të kufizuar sa më shumë kontaktet e tyre me të tjerët."

Zoti Rama njoftoi dhe mbylljen e diskotekave, pub-eve dhe palstesrave apo mjediseve të tjera ku ka grumbullime masive. Po ashtu restorantet dhe baret do të duhet të reduktojnë numrin e tavolinave në mënyrë që ato të kenë një distancë prej 2 metrash.

Kryeministri bëri të ditur gjithashtu se personeli mjekësor që është në vijën parë të përballimit të situatës do të ketë një pagesë shtesë prej 1000 eurosh, ndërsa prsoneli mbështetës prej 500 eurosh.

Ndërsa kishte thirrur mbledhjen e Qeverisë me një numër të reduktuar përfaqësuesish në sallë, zoti Rama përsëriti gjithashtu thirrjet ndaj qytetarëve që të zbatojnë me rigorozitet këshillat e ekspertëve: “Nëse dikush vendos të vrasë veten, shteti është i detyruar ta ndalojë të bëjë një gjë të tillë, por këtu jemi në kushtet kur shumëkush po luan me veten dhe me të tjerët, po luan me nënë dhe me babain, po luan me motrën dhe me vëllain, duke i bërë karshillëk një armiku që nuk ka fare as veshë, as zemër, as sy, një force të verbër që të hyn në mes dhe të thyen brinjët e të këput në gjunjë, siç po ndodh me një vend aq të madh e aq të fortë e me atë sistem ekselent shëndetësie e siç po ndodh kudo, që po i dridhen këmbët gjithë botës".

Më herët Partia Demokratike lëshoi akuza të rënda ndaj autoriteteve ndërsa tha se personelit mejkësor i janë shpërndarë maska të skaduara. Zoti Basha tregoi kutinë e maskava ku data e skadencës, ishte fshehur duke i vënë një pullë tjetër sipër. “Është kriminale dhe ftoj Prokurorinë të nisë menjëherë hetimet për vënien në përdorim të maskave të skaduara. Ky është krim ndaj kujtdo dhe në veçanti ndaj stafeve mjekësore që sot po sakrifikojnë gjithçka, edhe shëndetin e tyre për t’u ardhur në ndihmë qytetarëve. Ky akt është, po kështu, tregues i qartë se qeveria është jo vetëm e papërgatitur, por dhe e papërgjegjshme”, u shpreh kryetari demokrat.

Kryeministri Rama pranoi se ato janë të skaduara, duke shpjeguar se bëhej fjalë për një sasi që kishte mbërritur në formë donacioni për një shoqatë nga Kanadaja, por këmbënguli se ato e përmbushin funksionin mbrojtës, e për më tepër nuk përbëjnë asnjë rrezik. “Këto janë maska, të cilat përdoren gjerësisht pas datës së tyre të skadencës jashtë sallave kirurgjikale, që do të thotë jo sepse në sallat kirurgjikale këto janë të rrezikshme, por sepse në sallat kirurgjikale këto nuk e kanë të gjithë efektshmërinë e tyre dhe janë maska që e zëvendësojnë disa herë më mirë për të mos thënë se sa fish, disa herë më mirë fazoletën, apo garzat që vendosen përpara fytyrës për vetëmbrojtje, apo mbrojtjen e tjetrin në kontaktin gjatë një gjendje të caktuar gripale apo epidemike. Asgjë tjetër. As më shumë dhe as më pak. Të thuash që këto janë maska të rrezikshme do të thotë që thjesht dhe vetëm të duash të përhapesh panik”, deklaroi zoti Rama duke kërkuar që në momente të tilla forcat politike të bashkëpunojnë për përballimin e një kërcënimi të përbashkët.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG