Tregjet e aksoneve në Nju Jork u pezulluan për 15 minuta për shkak se treguesi S&P 500 ra më shumë se 7 përqind me hapjen e bursës. Po shtohet frika se përhapja e koronavirusit në Shtetet e Bashkuara do të bllokojë rritjen ekonomike dhe do ta çojë vendin drejt recesionit, një periudhë e tkurrjes ekonomike. Shtëpia e Bardhë po shqyrton një sërë masash afatshkurtëra për të zbutur tendosjen financiare për bizneset dhe punonjësit e prekur. Por ekonomistët paralajmërojnë se sa më shumë të përhapet virusi, aq më i madh do të jetë ndikimi në ekonomi dhe do të duhet një kohë më e gjatë që ajo ta marrë veten.
Në Shtetet e Bashkuara ka shqetësime në rritje lidhur me pasojat ekonomike të shkaktuara nga koronavirusi që tashmë është klasifikuar si pandemi. William Hoagland është analist ekonomik në Qendrën për Politika Dypartiake.
“Presim që të jetë një periudhë ekonomike e dobët për Shtetet e Bashkuara dhe nuk do të shohim rritjen që ishte parashkikuar.”
Industria e udhëtimeve aktualisht është goditur rëndë nga përhapja e virusit në anijet turistike si dhe me anulimet e fluturimeve në shumë vende të botës.
Këshillat kundër tubimeve publike kanë nxitur anulimin e konferencave, festivaleve dhe ngjarjeve sportive, ndërsa restorantet dhe kinematë po luftojnë për të mbijetuar.
Mbyllja e pjesshme e fabrikave në Kinë që prodhojnë pjesë për makinat po shtojnë shqetësimet se prodhuesit amerikanë të automobilëve do të shkurtojnë prodhimin.
Frika dhe droja ka kapluar edhe tregjet financiare ndërsa ka rënë ndjeshëm vlera e askioneve dhe çmimet e naftës.
Presidenti Trump ka minimizuar rreziqet që paraqet koronavirusi për shëndetin e amerikanëve dhe tregjet e vendit.
“Kjo ishte e papritur por do të kalojë. Duhet të ruani qetësinë , do të kalojë”, u shpreh Presidenti.
Presidenti Trump ka hedhur idenë e uljes së përkohshme të taksave për industritë dhe punonjësit e prekur. Po ashtu, administrata po shqyrton leje me pagesë për punonjësit por nuk është e qartë se si do të zbatohet kjo. Bradley Fold është profesor biznesi në Universitetin e Teksasit.
“Për botën e biznesit kjo është diçka shumë shqetësuese, por aktualisht po përballemi me një krizë të shëndetit publik.”
Miratimi i një mase të re shpenzimesh do të kërkonte mbështetjen e demokratëve në Kongres të cilët duan fonde shtesë për testet mjekësore dhe kujdesin, zgjerim të siguracionit për papunësinë dhe shtimin e shpenzimeve për programet e sigurisë sociale.
Analisti William Hoagland në Qendrën për Politika Dypartiake:
“Kjo do të shtojë defiçitin federal në një periudhë afatshkurtër. Por kjo është e rëndësishme nëse nënkupton mbrojtjen dhe sigurinë e publikut amerikan dhe rivendosjen e besimit ekonomik që nevojitet për të ecur përpara.”
Masat vendimtare janë të nevojshme menjëherë, thonë analistët, për të siguruar ndihmë të menjëhershme për të prekurit dhe për të shpejtuar një rimëkëmbje ekonomike pasi përhapja e virusit të ketë marrë fund.
Facebook Forum