Lidhje

Përplasjet mes Shtëpisë së Bardhë dhe Kongresit për luftën kundër COVID-19


Demokratët e Kongresit kanë mosmarrëveshje me administratën Trump për projektligjin që parashikon një reagim të shpejtë ndaj koronavirusit dhe ndikimit të tij ekonomik. Beteja midis Shtëpisë së Bardhë dhe Kongresit vjen pas komenteve të bëra nga shumë demokratë, të cilët thonë se fjalimi që Presidenti mbajti të mërkurën mbrëma nga Zyra Ovale ishte i pamjaftueshëm lidhur me atë që ofronte për të përballuar krizën në rritje.

Rënia e tregut të aksioneve, mbyllja e ndërtesës së Kongresit për vizitorët dhe fakti që presidenti dhe nënpresidenti vetëm pak ditë më parë kishin qëndruar pranë një zyrtari brazilian tashmë të konfirmuar me koronavirus, janë shenja të ankthit në rritje në kryeqytetin e vendit, por jo në Shtëpinë e Bardhë.

"Jemi në gjendje të shkëlqyer," thotë presidenti Trump.

Demokratët thonë se toni i tij është në kundërshtim me realitetin, ku numri i vdekjeve po rritet dhe humbjet financiare në Wall Street kanë arritur në shifra rekord.

"Administrata Trump po reagon në mënyrë jotransparente dhe shpesh kaotike ndaj koronavirusit," thotë kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve.

Demokratët janë të zemëruar, tani që mësohet se vendi ka kryer vetëm 11,000 teste për virusin po aq sa kryen Koreja e Jugut në një ditë.

"Administrata nuk ka një përgjigje të mirë, as plan, nuk ka rol udhëheqës. Mendoj se ligjvënësit në të dyja anët janë të irrituar dhe kanë të drejtë të jenë. Është koha që Shtëpia e Bardhë të sigurojë udhëheqje të vërtetë për këtë emergjencë serioze," thotë Sean Patrick Maloney, ligjvënës demokrat.

Ndërkaq, rivali kryesor i presidentit Trump për zgjedhjet e nëntorit e cilëson rolin udhëheqës të presidentit një dështim.

"Aftësia jonë për të dhënë një përgjigje globale është minuar në mënyrë dramatike nga dëmi që Trump i ka bërë besueshmërisë sonë dhe marrëdhënieve tona në të gjithë botën," thotë Joe Biden, kandidat për president.

Republikanët e kanë duartrokitur presidentin Trump për anulimin e shumë fluturimeve nga zonat e infektuara dhe argumentojnë se ulja e taksave e propozuar prej tij do të rrisë ekonominë. Ata thonë se demokratët po e përdorin krizën për qëllime politike.

"Fatkeqësisht, duket se kryetarja dhe demokratët e Dhomës së Përfaqësuesve kanë vendosur të krijojnë një listë dëshirash ideologjike," thotë republikani kryesor i senatit, Mitch McConnell.

Ndër propozimet e demokratëve janë: pushim i paguar për sëmundje dhe mbulim shëndetësor që do të ndihmonte shumë punëtorë me të ardhura të ulëta.

"Këto propozime kanë për synim direkt njerëzit - ato nuk janë ideologjike. Dhe është shumë e nevojshme për t'i treguar popullit amerikan se ne mund të bëjmë gjëra nga të cilat në fakt përfitojnë njerëzit që janë në vështirësi dhe që ndihmojnë ekonominë amerikane të lëvizë," thotë Chuck Schumer, udhëheqës i pakicës në Senat.

Ligjvënësit po përpiqen të ulin dëmin tani që realiteti i krizës së koronavirusit po shfaqet i plotë edhe në SHBA.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG