Lidhje

Koronavirusi, Shqipëria masa të reja shtrënguese


Në Shqipëri, qeveria ka vendosur të ashpërsojë masat shtrënguese, në kuadër të përpjekjeve për të kufizuar shtrirjen e përhapjes së koronavirusit. Mbyllja e lokaleve, barave dhe restonrante, një masë e cila ishte vënë në zbatim për Tiranën dhe Durrësin, do të shtrihet dhe në zona të tjera. Duke filluar nga nesër “zinxhiri i ndalimeve të aktiviteteve tregtare shtrihet përtej Tiranë –Durrësit, në qarqet Shkodër, Lezhë, Elbasan, Fier dhe Vlorë. Kudo do të mbyllen po njësoj të gjitha lokalet dhe mjediset e mbyllura si në Tiranë e në Durrës”, deklaroi mbrëmjen e së premtes kryeministri Edi Rama në një videomesazh në Facebook. Ndërkohë një urdhër i firmosur nga ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu, që mban datën 12 Mars, dhe që u është shpërndarë autoriteteve vendore, e shtrin këtë ndalim në të gjithë vendin, deri në 3 Prill.

Nga mëngjesi i së premtes, deri të dielën në mesnatë, ka nisur ndalimi i qarkullimit të automjeteve private dhe atyre të transportit në 8 qytete të vendit, Tiranë, Durrës, Elbasan, Lushnje, Fier, Vlore, Shkodër dhe Lezhë. Por duket se kjo masë do të shtrihet dhe për ditët e ardhshme, siç la të kuptohej kryeministri Edi Rama, ndërsa njoftoi se “nga dita e diel në 06:00 do të ndalohet jo vetëm qarkullimi brenda po edhe në rrugët nacionale që lidhin Vlorën me Fierin, Fierin me Lushnjen dhe Shkodrën me Lezhën, pra perimetri i mbrojtjes do të zgjerohet dhe do të ndalohet edhe qarkullimi mes Elbasanit dhe Korçës. Do të thotë se në perimetrin e blinduar do të këputen lidhjet mes këtyre qyteteve për autobusët, apo makinat private, do të qarkullojnë vetëm automjetet që hyjnë në kategoritë e lejuara brenda perimetrit Tiranë-Durrës”.

Madje kryeministri paralajmëroi dhe aktivitetet private që të marrin masa për transportin e punonjësve të tyre. “Të gjitha kompanitë prodhuese dhe sipërmarrjet e shërbimit që nuk hyjnë te aktivitetet e ndaluara, duhet të marrin masa që ditën e hënë të sigurojnë transportin e punonjësve të tyre, duke vënë në dispozicion autobus të akredituar nga Policia e Shtetit apo të akreditojnë mjetet e punonjësve të tyre. Edhe punonjësit e administratës që nuk janë shkëputur nga puna dhe nuk mund ta kryejnë detyrën me internet nga shtëpia duhet të sigurohen që ditën e hënë të pajisjen me kartelën identifikuese për të qarkulluar me automjetin e tyre privat”, tha kryeministri. Megjithatë kërkesa për transport të punonjësve me autobus duket se bie ndesh me vetë masat që Qeveria ka ndërmarrë për ndërprerjen e transportit publik, apo me kërkesat për ato sipërmarrje më numër të lartë punonjësish në mjedise të mbyllura të cilat duhet të garantojnë një distancë sigurie prej të paktën 1 metër e gjysëm nga njëri punonjës, te tjetri, pikërisht për të evituar grupe personash në mjedise të mbyllura.

Kufijtë thuajse të mbyllur

Ndërsa pak ditë më parë njoftoi ndërprerjen e fluturimeve dhe linjave detare për pasagjerët me Italinë, kryeministri Edi Rama njoftoi për një masë të ngjashme, duke nisur nga nesër dhe me Greqinë. “Kemi vendosur të ndërpresim fluturimet, transportin detar dhe atë tokësor me autobus me Greqinë fqinje. Për momentin, autoveturat do të vijojnë të lëvizin normalisht, ndërsa, transporti i mallrave asnjëherë nuk do të ketë ndërprerje”, theksoi zoti Rama.

Nga ana e saj Maqedonia e Veriut ka vendosur mbylljen e pikës së kalimit të Bllatës. “Maqedonia e Veriut, ka vendosur të mbyllë hyrje daljet në Doganën e Bllatës dhe ta vendosë Dibrën e Madhe në rregjim masash shtrënguese”, njoftoi zoti Rama.

Kosova gjithashtu, pas zbulimit të premten të dy rasteve të para me koronavirus dhe në territorin e saj, ka vendosur mbylljen e kufijve tokësorë për udhëtarët që hyjnë në Kosovë, përveç për qytetarët e saj, të cilët do të duhet t’I nënhstrohen kontrolleve mjekësore dhe vetë karantinimit për 14 ditë.

Mali i Zi nga ana e tij ka lënë për momentin të hapur vetëm njërën nga pikat e kalimit kufitar. Sipas një njoftimi të policisë shqiptare, nga ora 21.00 e mbrëmjes të së premtes “deri në një urdhër të dytë, do të bllokohet lëvizja e shtetasve dhe mjeteve që duan të hyjnë apo të dalin nëpërmjet Pikave të Kalimit Kufitar në Muriqan dhe Vermosh. Kurse në Pikën e Kalimit Kufitar, Hani i Hotit, do të vazhdojë lëvizja, si në hyrje dhe në dalje, si për shtetasit edhe për mjetet”.

Kontrolle të ardhurve nga Italia

Kryeministri bëri të ditur sot se policia “ka identifikuar të gjithë qytetart shqiptarë që kanë hyrë nga Italia 14 ditët e fundit. Pasi ka disponuar numrat e tyre të telefonit dhe adresat e tyre, po vazhdon operacionin e posaçëm të sensibilizimit dhe monitorimit të tyre”. Zoti Rama shpjegoi se të gjithëve u është dërguar një mesazh, përmes së cilit u kujtohet detyrimi për të zbatar vetë karantinimin për 14 ditë. “Shkelja e këtij detyrimi ndëshkohet me gjobë 5 mijë euro dhe shkelësi do të ndalohet të dalë nga Shqipëria pa paguar gjobën”, theksoi kryeministri, ndërsa tha se policia do të bëjë dhe kontrolle nëpër banesat e tyre.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG