Lidhje

Biden dhe Sanders debatojnë mbi reagimin ndaj koronavirusit


Kandidatët demokratë për president Joe Biden dhe Bernie Sanders u përplasën mbi vendimet e tyre të kaluara politike në debatin e së dielës, ndërsa ofruan plane për luftën ndaj koronavirusit, i cili po ndryshon jetën e përditshme të njerëzve në Shtetet e Bashkuara dhe në pjesën më të madhe të botës. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Mike O'Sullivan, njofton mbi debatin që u zhvillua pa praninë e një audience në sallë.

Me një distancë prej gati dy metrash nga njëri-tjetri në një studio pa audiencë, kandidatët u morën në pyetje nga gazetarët, ndërsa ata respektuan një paralajmërim të zyrtarëve shëndetësorë kundër tubimeve në grupe mbi 50 njerëzish.

Ndërsa disa biznese dhe shumë qendra argëtimi u mbyllën në të gjithë vendin, dhe njerëzit qëndruan në radhë të gjata për të blerë artikuj të nevojshëm, senatori Sanders bëri thirrje për një reformimkujdesit shëndetësor në Shtetet e Bashkuara.

"Kemi mijëra plane të sigurimeve shëndetësore private. Ky nuk është një sistem i përgatitur për të ofruar kujdes shëndetësor, për të siguruar kujdes shëndetësor për të gjithë njerëzit."

Ish-Nënpresidenti Biden bëri thirrje për më shumë testime, pasi shumë zyrtarë të shteteve amerikane janë ankuar për mungesa të kompleteve për testimin e pacientëve për koronavirusin.

"Të marrim të gjitha kompletet e testimit që mundemi dhe sa më shpejt që mundemi. Së dyti, unë do të sigurohesha që çdo shtet të ketë të paktën 10 qendra testimi ku njerëzit do të mund të testoheshin nga makinat e tyre”.

Presidenti Donald Trump shpalli gjendjen emergjente në mbarë vendin të premten.

Demokratët dhe republikanët ranë dakord për financimin e zgjerimit të testimeve laboratorike dhe trajtimeve të sëmundjes.

"Ne sapo miratuam një ligj që thotë se nuk duhet të paguani për këto shërbime".

"Në fakt, kjo nuk është e vërtetë. Ky ligj ka mangësi të mëdha”, tha zoti Sanders.

Kina, vendi ku u raportua rasti i parë i koronavirusit, njoftoi përparim në luftën kundër virusit, dhe të dy kandidatët bënë thirrje që Shtetet e Bashkuara të jenë udhëheqëse në përpjekjet kundër këtij virusi.

“Ne duhet të kemi një plan të përbashkët. Të gjitha vendet po preken në të njëjtën mënyrë nga ky virus, në varësi të ekspozimit. Ne kemi nevojë për udhëheqje botërore, kemi nevojë për udhëheqje në nivel ndërkombëtar."

Biden premtoi se do të emërojë një grua si kandidate për Nënpresidente. Sanders u pyet nëse ai do të bënte të njëjtën gjë.

"Ka shumë të ngjarë edhe unë do ta bëj këtë."

Arizona, Florida, Ilinoi dhe Ohajo do të organizojnë zgjedhjet paraprake të martën, ndërsa gara presidenciale e demokratëve vazhdon.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG