UEFA vendosi të martën që Kampionati Evropian i futbollit të shtyhet për një vit për shkak të epidemisë së koronavirusit.
Presidenti i UEFA-s Aleksander Ceferin tha se virusi “e bën futbollin dhe gjithë jetën në Evropë, thuajse të pamundur”.
Kampionati parashikohet tani të zhvillohet më 11 qershor deri më 11 korrik, 2021.
Komiteti ekzekutiv i UEFA-s e mori vendimin pas një videoconference me 55 federatat anëtare.
Finalja e Kampionatit Evropian zakonisht tërheq një audience televizive prej 300 milionë vetësh në gjithë botën dhe para katër vjetësh solli një fitim prej 830 milionë eurosh për UEFA-n.
"Shtyrja e Euro 2020-ës shkakton një kosto të jashtëzakonshme për UEFA-n”, tha zoti Ceferin përmes një deklarate.
Vendimi u mor pas një dite bisedimesh intensive me federatat e vendeve anëtare dhe udhëheqësve të futbollit të klubit, që pothuajse është ndalur tërësisht.
Është shumë e paqartë se kur kriza e shëndetit publik do të lehtësohet në mënyrë të mjaftueshme që futbolli evropian të rifillojë. Megjithatë, shtyrja e kampionatit, krijon hapësire të vlefshme që të mbahen ligat dhe kampionatet kombëtare, si edhe Ligë e Kampioneve dhe ajo e Evropës.
Facebook Forum