Lidhje

Kosovë - koronavirusi: presidenti kërkon “gjendje të jashtëzakonshme” – qeveria kundër


Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha të martën pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë Kombëtare se është vendosur që t’i dërgohet për miratim parlamentit, dekreti për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme për shkak të koronavirusit.

Ai tha se propozimi do të hidhet të mërkurën për miratim në parlament, i cili sipas Kushtetutës së Kosovës “jep pëlqimin për dekretin e Presidentit mbi shpalljen e Gjendjes së Jashtëzakonshme” i cili vendosë për këtë çështje në konsultim me Kryeministrin;

Por, kryeministri Albin Kurti, nuk është pajtuar me kërkesën e presidentit. Zëvendësi i tij, Haki Abazi, tha në një takim me gazetarë se “ne kemi konsoliduar radhët brenda ministrive dhe jemi në rrugë të mbarë dhe adekuate në përgjigje ndaj gjendjes, prandaj çfarëdo veprimi mund ta dëmtojë këtë rrjedhë, është një organizim që është vënë në binarë të mirë, ndërsa vendosja e gjendjes së jashtëzakonshme është një masë ekstreme”.

Më herët gjatë ditës, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, kishte kërkuat përmes një postimi në facebook se “duhet të veprohet sa më shpejt edhe me gjendje të jashtëzakonshme, sepse po përballemi me një fatkeqësi e cila po shpërndahet në tërë territorin e Kosovës. Pse të pritet më shumë. Kushtetuta ka folë qartë!”, shkroi ai, duke theksuar se “ajo që po vërehet është se deri sot virusi po shpërndahet në proporcion aritmetik, në ditët në vijim mund të kemi proporcione gjeometrike prandaj duhet të sillet nën kontroll”.

Zoti Abazi tha se “të gjitha masat, veprimet, vendimet janë marr të përbashkëta përbrenda qeverisë. Ministritë pa dallim brenda koalicionit kanë vepruar dhe janë duke vepruar në vazhdimësi me dinamikën 24 orëshe. Kjo nuk është çështje partiake e as e një individi të vetëm është çështje e institucioneve të Kosovës, në këtë rast të qeverisë e cila e ka edhe për detyrë dhe ka marr përgjegjësinë për të marr të gjitha masat dhe vendimet e duhura për t’u përballur me pandeminë e koronavirusit. Kështu që nuk kemi asnjë mëdyshje dhe asnjë dallim përbrenda masave dhe veprimeve që kemi marrë edhe sonte diskutimi për çështjen në fjalë ishte përbrenda gatishmërisë së qeverisë dhe bashkëveprimit pa dallim partiak”.

Me apo pa dallime, dekreti i presidentit pritet të shkojë në parlament për votim.

Në tekstin e Kushtetutës thuhet se “Presidenti i Republikës mund të shpallë gjendjen e jashtëzakonshme, kur, ka nevojë për masa emergjente të mbrojtjes, kur ka rrezik të brendshëm ndaj rendit kushtetues ose sigurisë publike dhe kur ka fatkeqësi natyrore, e cila prek tërë territorin e Republikës së Kosovës ose një pjesë të tij. Gjatë gjendjes së jashtëzakonshme, Kushtetuta e Republikës së Kosovës nuk suspendohet. Kufizimet mbi të drejtat dhe liritë e garantuara me këtë Kushtetutë, bëhen vetëm deri në shkallën e nevojshme, për sa më pak kohë që të jetë e nevojshme dhe në përputhje të plotë me këtë Kushtetutë... Nëse paraqitet nevoja për marrjen e masave emergjente të mbrojtjes, Presidenti i Republikës së Kosovës, pas konsultimit me kryeministrin, shpall gjendjen e jashtëzakonshme. Me shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme, presidenti i Republikës së Kosovës shpallë menjëherë dekretin, i cili përcakton natyrën e kërcënimit dhe çfarëdo kufizimi për të drejtat dhe liritë. Brenda dyzet e tetë (48) orësh, Kuvendi mund të japë pëlqimin me dy të tretat (2/3) e votave të deputetëve të pranishëm dhe që votojnë. Nëse nuk jepet pëlqimi, dekreti I Presidentit nuk ka forcë as efekt, thuhet mes tjerash në tekstin e Kushtetutës.

“Nuk kam menduar kurrë që në përgjegjësitë e mia do të mund të vijë ky moment që të deklarojë këtë që sonte jemi të detyruar të deklarojmë dhe propozojmë që duke respektuar Kushtetutën dhe ligjet e vendit t’i propozoj kuvendit të Republikës së Kosovës dekretin për gjendjen e jashtëzakonshme në Kosovë”, tha presidenti Thaçi.

Gjendja e jashtëzakonshme, tha ai, përfshin edhe mobilizimin e tërësishëm dhe maksimal të Forcës së Sigurisë së Kosovës në gjithë territorin e Republikës.

“Jemi në një rrethanë të pa përjetuar më parë, dhe si shtet natyrisht se duhet t’i marrim përgjegjësitë që na takojnë kushtetuese edhe ligjore. Do të ishte papërgjegjësi e madhe injorimi i realitetit të hidhur dhe mosmarrja e të gjitha masave për parandalimin e një situate më të rënduar për qytetarin dhe gjithë shoqërinë e Kosovës. Ballafaqohemi me një grip jo sezonal por një virus vdekjeprurës prandaj duhet të angazhohemi të gjithë me potencialin që kemi”, tha ai.

Por, zëvendëskryeministri Abazi, tha se “mendimi i kryeministrit dhe shumicës së pjesëmarrësve në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare ishte që kjo është masë ekstreme e panevojshme në këtë moment dhe ne nuk jemi duke shkuar askund, jemi duke punuar 24 orë këtu bashkë. Në një rrethanë tjetër do të ulemi dhe do të diskutojmë, shpresoj të mos vijmë asnjëherë në një gjendje ku nevojitet. Të ju rikujtoj që i vetmi vend në rajon që ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme është Serbia dhe asnjë vend tjetër në rajon dhe as Italia”, tha ai.

Këshilli i Sigurisë u mblodh të martën mbrëma për të shqyrtuar situatën e krijuar në vend ku deri sot janë konfirmuar 19 raste të infektimit me coronavirus.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG