Lidhje

COVID-19, Kosovë: Shkon në 21 numri i rasteve të konfirmuara


Ilustrim
Ilustrim

Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik në Kosovë njoftoi të enjten mbrëma për një rast të ri të prekur me koronavirus, duke e çuar në 21 numrin e përgjithshëm të rasteve të konfirmuara.

Sipas institutit, rasti i fundit është një 46 vjeçar nga Janjeva e komunës së Lipjanit, rreth 20 kilometra në jug të Prishtinës.

Ai ishte kthyer nga Berlini nëpërmjet aeroportit të Prishtinës më 11 mars.

Instituti i Shëndetit Publik me këtë rast u bëri thirrje të gjithë atyre që janë kthyer nga Berlini në këtë datë të lajmërohen në qendrën e thirrjeve për të parë nëse është i nevojshëm testimi i tyre për COVID – 19.

Më herët gjatë ditës në një konferencë me gazetarë, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia njoftoi se Kosova ka 1 mijë teste dhe janë porositur me urgjencë edhe 7 mijë të tjera të cilat pritet të arrijnë në fillim të javës që vjen.

Instituti i Shëndetit Publik shpreh edhe shqetësimin për lëvizjet e shumta dhe grumbullimet e qytetarëve në qytet, parqe dhe vende të hapura, duke tërhequr vërejtjen se tubime të tilla mund të rrezikojnë shëndetin e qytetarëve dhe ndihmojnë përhapjen e virusit.

“Nëse nuk u përmbahemi masave të rekomanduara më herët nga ministria e Shëndetësisë dhe Instituti i Shëndetit Publik për qëndrim në shtëpi, respektim të masave higjienike dhe të distancimit social, atëherë rrezikojmë të kemi përhapje komunitare” thuhet në njoftim.

Autoritetet ndërkaq kthyen të enjten në vend në mënyrë të organizuar 39 qytetarë që kishin mbetur jashtë Kosovës, përfshirë fëmijë dhe të moshuar.

Të gjithë ata u vendosën në karantinë 14 ditëshe në konviktet e studentëve në Prishtinë, që janë shndërruar në qendër të pritjes dhe izolimit.

Ministri i Infrastrukturës, Lumir Abdixhiku, tha se qytetarët e regjistruar nga ambasadat e Kosovës do të vazhdojnë të kthehen në shtëpi në mënyrë të organizuar dhe nën mbikëqyrje. Ai u bëri thirrje shtetasve të Kosovës që kanë mbetur jashtë vendit dhe duan të kthehen të lajmërohen në ambasadat gjithandej.

Sipas Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, nga një shkurti i këtij viti deri më 19 mars në aeroportin e Prishtinës dhe në vendkalimet kufitare tokësore kufitare janë kontrolluar gjithsej 14 mijë e 442 udhëtarë.

Që nga e premtja kur janë regjistruar rastet e para të të prekurve me koronavirus, qeveria ka marrë masa të shtuara për të parandaluar zgjerimin e tij, ndërsa institucionet janë përfshirë në përplasje politike rreth kërkesës së presidentit të Kosovës për të deklaruar gjendjen e jashtëzakonshme, një kërkesë që nuk po mbështetet nga kryeministri Albin Kurti.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG