Lidhje

Koronavirusi, SHBA-Kinë vazhdojnë të fajësojnë njëra-tjetrën


Shtetet e Bashkuara dhe Kina kanë fajësuar njëra-tjetrën për përhapjen e koronavirusit, duke rënduar kështu më tej marrëdhënien e vështirësuar nga lufta tregtare. Presidenti Donald Trump vazhdon ta quajë virusi kinez, duke sugjeruar se po vepron kështu për t’iu kundërvënë propagandës së Pekinit. Kjo mund të sinjalizojë për tensione të mëtejshme, ndërsa dy vendet po përpiqen të vënë nën kontroll pandeminë. Njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Patsy Widakuswara.

Ndërsa Kina filloi të vërë në kontroll përhapjen e koronavirusit duke ulur rastet e transmetuara, administrata Trump vazhdon të fajësojë Pekinin se nuk u dha paralajmërim të hershëm vendeve të tjera, pasi e zbuloi virusin vitin e kaluar.

Të premten, Sekretari i Shtetit Mike Pompeo i bëri thirrje Kinës të bëja të ditura të dhënat për epideminë.

“Transparenca dhe shpërndarja e informacionit në mënyrë reale, nuk ka të bëjë me lojëra politike apo hakmarrje”, tha Sekretari Pompeo.

Megjithëse një entitet i OKB-së risolli në vëmendje se “virusi nuk ka kombësi”, Sekretari Pompeo dhe Presidenti Donald Trump vazhduan të përdorin termin “virusi kinez”.

“Nuk është fare raciste. Aspak. Vjen nga Kina, prandaj. Vjen nga Kina. Dua të jem i saktë”, tha Presidenti Trump.

Presidenti Trump gjithashtu tha se e përdori termin për t’iu kundërvënë propagandës kineze se përgjegjësinë për sjelljen e virusit, të zbuluar për herë të parë në qytetin kinez Wuhan, e ka Ushtria e Shteteve të Bashkuara.

“Dy vendet që duhet të bashkëpunonin, dhe munden të bashkëpunojnë, për të luftuar pandeminë, janë përfshirë realisht në lojëra fajësimi dhe zënka se si ta quajnë virusin. Kjo mendoj se është fëminore dhe gjithashtu e rrezikshme, pasi i shpërqëndron të dyja palët nga kujdesi që duhet t’i ofrojnë popullsisë së tyre”, thotë Robert Daly, i Qendrës Wilson.

Kina deklaroi se është tepër e indinjuar nga përmendja e “virusit kinez” dhe i mohoi pretendimet se nuk ka qenë transparente.

“I bëjmë thirrje Shteteve të Bashkuara të korrigjojë menjëherë gabimet e saj dhe të ndalë menjëherë akuzat e pajustifikuara ndaj Kinës”, tha Geng Shuang, zëdhënës i Ministrisë së Jashtme kineze.

Zënka për koronavirusin po teston më tej marrëdhënien SHBA – Kinë që është tensionuar tashmë nga lufta tregtare.

“Këto janë frutat e turavrapit në Pekin dhe në Uashington drejt marrëdhënieve rivale të viteve të fundit”, thotë zoti Daly.

Kjo mund të sjellë probleme të mëtejshme, në veçanti në një kohë kur administrata Trump po përpiqet të gjejë një ilaç për virusin COVID-19.

“Edhe nëse do të donim të prodhonim ilaçin në Shtetet e Bashkuara, ku nuk e kemi kapacitetin, 100% e reagentëve, kimikateve bazë dhe pjesëzave për të ndërtuar këto ilaçe vijnë nga Kina”, thotë David Gortler, ish-zyrtar i shëndetësisë në Administratën për Ushqimin dhe Barnat (FDA).

Gjithashtu këtë javë, Pekini dëboi gazetarë amerikanë, si kundërpërgjigje ndaj uljes nga Uashingtoni të numrit të shtetasve kinezë që lejohen të punojnë për mediat shtetërore kineze në Shtetet e Bashkuara.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG