Lidhje

Tiranë: Humb jetën pacienti i pestë me COVID-19. Infektohet edhe drejtuesi i Urgjencës Kombëtare

Një tjetër pacient me COVID-19 humbi jetën në Shqipëri, megjithë terapinë intenstive 10 ditore në Spitalin Infektiv.

Pacienti 49-vjeçar nga Tirana i shtruar prej 13 ditësh në Spitalin Infektiv, vuante edhe nga diabeti. Kanë humbur jetën 5 persona të prekur nga COVID-19 në Shqipëri.

Edhe drejtuesi i Urgjencës Kombëtare, dr. Skënder Brataj, rezultoi i prekur nga COVID-19 pas analizave.

Lajmin e konfirmoi ministria e shëndetësisë. Ai është njëherësh edhe anëtar i shtabit shtetëror të emergjencës.

Në 24 orët e fundit u zbuluan edhe 19 raste të reja me COVID-19 pasi janë kryer 74 testime.

Gjithsej janë gjetur 123 persona të prekur nga 930 raste të testuara.

Në Spitalin Infektiv janë 57 pacientë të shtruar, 2 prej tyre në terapi intensive, pjesa tjetër në gjendje të qëndrueshme.

Në hartën e zonave të prekura nga COVID-19 u shtuan edhe Lezha, Hasi dhe Berati, ndërsa qytetet më të prekura janë Tirana, Fieri e Korça. Tirana ka 72 persona të prekur, Fieri 12, Korça 9, Durrësi 8, Lushnja, Vlora e Kavaja nga 4, Elbasani, Rrogozhina, Shkodra e Hasi nga 2 qytetarë, Lezha e Berati nga 1 pacient me COVID-19. Njoftohet edhe dalja nga spitali e 10 qytetarëve të shëruar.

Qeveria miratoi me aktin e fundit normaltiv edhe lirimin nga burgjet të afro 600 personave të dënuar me rrezikshmëri të ulët, që për shkak të sëmundjeve të tyre, mund të jenë të prekshëm nga COVID-10.

Lajmin e konfirmoi ministrja e drejtësisë, Etilda Gjonaj, e cila shtoi se do të karantinohen në shtëpi për 3 muaj personat e dënuar që ju kanë mbetur deri në 3 vjet burgim, ata që ju kanë mbetur deri në 5 vjet burgim, por që janë mbi 60 vjec dhe vuajnë nga ndonjë sëmundje kronike.

"Përjashtohen ata që kanë kryer krime të rënda, pjesëmarrje në organizata kriminale etj”, - tha ministrja e drejtësisë. Sipas saj, deri tani nuk ka asnjë të prekur mes të burgosurve, dhe takimet me familjart janë zëvendësuar me lidhjet përmes internetit.

This item is part of
XS
SM
MD
LG