Lidhje

Shqipëri, shkojnë në 9 viktimat e koronavirusit


Në Shqipëri, një grua 52 vjeçare nga Vlora, humbi jetën mbrëmjen e së premtes në spitalin Infektiv të Tiranës, duke e çuar në tre numrin e viktimave të koronavirusit në 24 orët e fundit. “52-vjeçarja ishte e shtruar prej katër ditësh në spitalin infektiv në QSUT, ndërsa dy ditët e fundit gjendja e saj ishte rënduar dhe po trajtohej në terapi intensive. Pavarësisht përpjekjeve të stafit mjekësor, pacientja që vuante nga hipertensioni, nuk arriti të mbijetojë”, bëri të ditur ministria e Shëndetësisë. 52-vjeçarja është viktima e nëntë e prekur nga COVID-19 në Shqipëri.

Autoritetet shëndetësore njoftuan të premten se janë zbuluar edhe 12 raste të reja me qytetarë të prekur nga COVID-19, duke i rritur numrat në 186 raste. Midis tyre është edhe një deputet i opozitës në parlamentin shqiptar, Adriatik Alimadhi, i cili njoftoi infektimin e tij dhe të bashkëshortes nga COVID-19. Pasdite vonë, edhe zoti Alimadhi u shtrua në spitalin Infektiv.

Deri tani janë bërë afro 1 mijë e 250 teste për rastet e dyshuara, por mjekët pohojnë se këto teste janë të pamjaftueshme për një popullatë me afro 3 milionë banorë. Eksperët shqiptarë theksojnë që prapa secilit prej 186 rasteve të zbuluara mund të jenë së paku edhe 10 persona të tjerë të infektuar.

COVID-19 ka prekur pothuaj gjithë qendrat e banuara të Shqipërisë. Qyteti më i prekur nga COVID-19 është Tirana me 107 raste të konfirmuara, ndërsa u shtuan për herë të parë edhe 2 raste në Pukë. Ministria e shëndetësisë njoftoi po ashtu për 31 të shëruar, midis tyre edhe një mjek dhe një infermier janë shëruar.

Autoritetet policore dhe ushtarake kanë marrë masa shumë të rrepta për të frenuar lëvizjen e këmbësorëve dhe automjeteve. Disa qindra shoferë dhe këmbësorë janë gjobitur për shkeljen e rregullave të karantinës. Në rrugë lëvizin vetëm mjetet e shërbimeve publike dhe fare pak automjete të autorizuara nga policia.

Qeveria njoftoi një ndalim-qarkullimi prej 40 orësh gjatë fund-javës, ashtu si bëri edhe fund-javën e kaluar. Nga e hëna është njoftuar se askush nuk lehohet të dalë nga banesa pa marrë një leje online nga policia mbi arsyet dhe adresën e lëvizjes. Zyrtarët njoftuan se të hënën do të nisin një operacion për të kthyer me aeroplanë disa qindra shqiptarë që kanë mbetur në shtete të tjera, shumica nga Italia dhe Britania e Madhe.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG