Lidhje

"Ushtria" botërore e vullnetarëve mobilizohet kundër koronavirusit 


Më shumë se gjysmë milioni britanikë po shërbejnë si vullnetarë për të ndihmuar Shërbimin Kombëtar Shëndetësor për të përballuar epideminë e koronavirusit. Po kështu në mbarë botën njerëzit po kontribuojnë për të ndihmuar ata që kanë më shumë nevojë, duke ndezur shpresën se shoqëritë mund ta kapërcejnë situatën e vështirë që ka shkaktuar virusi. Korrespondenti i “Zërit të Amerikës” Henry Ridgwell njofton nga Londra.

Një sallë e madhe në një ekspozitë në Londër, që do të shërbejë si spital për trajtimin e personave të prekur nga koronavirusi është ndërtuar me ndihmën e ushtrisë britanike. Spitali pritet të hapet javën e ardhshme. Ndërsa vendi përgatitet për t’u përballur me nivelin më të lartë të epidemisë, brenda vetëm 24 orëve, më shumë se gjysmë milioni britanikë u regjistruan për të ndihmuar Shërbimin Kombëtar Shëndetësor. Mes tyre edhe Amirah Gajia, e cila ka mbyllur kafenenë e saj në Londër e po përgatitet të ndihmojë ata që janë në vijën e parë të “frontit”.

"Mendoj se kam parë më të mirën e njerëzimit në këto momente tejet të tmerrshme. Të gjithë përpiqen të mbështesin e ndihmojnë njëri-tjetrin”, thotë ajo.

Kryeministri britanik, i cili është vetë i prekur nga koronavirusi, vlerësoi rolin e vullnetarëve.

"Ata do të çojnë ilaçe nga farmacitë tek pacientët. Do t’i marrin pacientët nga spitalet e t’i çojnë në shtëpi. Ç’ka është më e rëndësishme, ata do të bëjnë telefonata të rregullta për të kontrolluar dhe mbështetur ata njerëz që jetojnë vetëm".

Qeveria britanike është kritikuar se e vonoi të paktën deri këtë javë, marrjen e një vendimi për një izolim mbarëkombëtar.

“Gjërat e duhura bëhen në kohën e duhur. Çdo vendim lidhet me përpjekjet për të kuptuar gjithashtu se si po zhvillohen teknologjitë e ndryshme, koha që duhet, prodhimi i antiviruseve, vaksinave etj dhe se si mund të vihen në përdorim në mënyrë më efektive sapo të jenë gati. Nuk mendoj se dikush e di përgjigjen e duhur", thotë Kalipso Chalkidou, Profesore e Shëndetit, në Kolegjin Perandorak të Londrës

Derisa të gjendet përgjigja, vullnetarët në të gjithë botën po japin kontributin e tyre. Në kryeqytetin e Gjeorgjisë, Tblisi, shoqatat bamirëse po shërbejnë për shpërndarjen e vakteve të ngrohta për njerëzit në nevojë.

Në Nairobi, vullnetarët kontrollojnë të moshuarit dhe përhapin informacione për parandalimin e infeksionit.

Në Poloni, një numër i madh njerëzish janë grupuar në mediat sociale për të ndihmuar me gjithçka, nga blerja e ushqimeve tek kujdesi për qentë.

"E krijova këtë grup për miqtë e mi dhe miqtë e miqve të mi, me shpresën se do të shfaqen gjashtëdhjetë vetë, por u ofruan mbi shtatëmbëdhjetë mijë”, thotë Marta Li, grupi “Duart e dukshme”.

Në Itali, kishat po ndihmojnë për të ushqyer të moshuarit, të sëmurët e njerëzit në nevojë.

"Në një situatë krize si kjo që po jetojmë të gjithë, të varfërit janë ata që vuajnë më shumë", thotë At Ciro.

Si pasojë e COVID-19 një e katërta e popullsisë së botës është detyruar të izolohet. Në shumë vende, njerëzit kanë dhuruar duartrokitje çdo natë prej verandave e ballkoneve të tyre për punonjësit e shëndetësisë të cilët shërbejnë në ballë të krizës. Me qindra mijëra po japin ndihmën e tyre, një demonstrim force, në një kohë të vështirë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG